Kancelarja Angela Merkel ka dërguar një sinjal mjaft pozitiv për Shqipërinë ditën e sotme duke kërkuar hapjen e negociatave në muajin mars.
“Është shumë e rëndësishme që të ketë përparime në çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është koha që të hapen bisedimet e pranimit. Parlamenti ynë ka rënë dakord për këtë” është shprehur Merkel gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviç.
Kancelarja konfirmoi deklaratën e Komisionerut të Zgjerimit Oliver Varheliy në Tiranë se çështja e negociatave do të hapej në mars, duke njoftuar se kjo do t’u vihej përpara liderëve të BE-sedhe në samitin e Këshillit Europian në Bruksel, qysh në muajin mars.
Ajo u ndal në veçanti tek Shqipëria duke kërkuar që vendi ynë të mos ndahet nga Maqedonia e Veriut dhe duke theksuar se Tirana zyrtare kishte përmbushur të gjitha kushtet.
“Shqipëria ka plotësuar shumë kërkesa që i kishim vendosur. Sidomos procesin e Vettingut dhe tani ka ardhur koha që të çelen negociatat”, tha Merkel.
Duke folur për Maqedoninë e Veriut, Merkel është shprehur se ajo i ka plotësuar kushtet që deri më tani pengonin çeljen e negociatave, pasi u arrit marrëveshja me Greqinë për çështjen e emrit.
“Nëse duam të jemi të drejtë, atëherë ne duhet t’i trajtojmë të dy vendet së bashku, pavarësisht se ato pastaj do të ndjekin procedura të ndryshme, në bazë të vlerësimeve që do t’u bëhen”, tha kancelarja gjermane.
I njëjti sinjal ka ardhur edhe nga Komisioneri i Zgjerimit të BE-së, Olivér Várhelyi, i cili ditën e djeshme në Tiranë, u shpreh se do të punohet që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i çelen negociatat para samitit të Zagrebit në muajin Maj. Gjithashtu ai u shpreh se gjatë bisedimeve në Francë dhe në Holandë ka pasur qëndrime pozitive për sa i përket hapjes së negociatatve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.