Kancelarja Angela Merkel i premton kryeministrit Edi Rama se do të bëjë të pamundurën që në merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave në mbledhjen e Këshillit të BE-së në muajin mars. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit me Ramën, kancelarja gjermane nënvizoi edhe njëherë pozicionin e qartë të qeverisë gjermane për çeljen e negociatave të anëtarësimit mes BE-së dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Merkel e vuri theksin te reforma e drejtësisë dhe kërkoi që ajo të përmbyllet: “Reforma e drejtësisë është një gur themelor qendror për të ardhmen e Shqipërisë” dhe premtoi angazhimin e saj për çeljen e negociatave. “Ne duam që këto dy shtete të shkojnë drejt BE-së dhe duam që të arrijmë një marrëveshje në takimin e ardhshëm të Këshillit të BE-së në mars për të filluar çeljen e negociatave me Shqipërinë, si edhe me Maqedoninë e Veriut. Të dy vendet e kanë merituar. Këtë qëndrim e kemi pasur edhe në takimin e kaluar dhe tani do të punojmë me forcë që në mars të arrijmë rezultatin e dëshiruar”, raportoi më herët DW.

Merkel sa i përket procesit të integrimit europian ka shtuar se beson që e ardhmja e këtyre dy vendeve është në Bashkimin Europian. “Kjo është dhe në interesin tonë. Ai që e shikon mirë hartën dhe njeh kuadrin gjeopolitik e di që është mirë për të gjithë, sikur një ditë të jenë anëtarë të BE-së. Komisioni i ri Europian synon të jetë dhe një komision që synon të theksojë dhe dimensionin gjeopolitik dhe prandaj kjo i jep edhe më shumë shkas për ta çuar me vendosmëri përpara këtë proces”, tha më tej kancelarja.

Gjithashtu u bë e ditur se Gjermania do të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për dëmet e tërmetit që do të zhvillohet më 17 shkurt në Bruksel. “E ndiej veçanërisht të nevojshme që me rastin e këtij takimi të kujtoj tërmetin e nëntorit të vitit të kaluar. Shumë, shumë njerëz humbën shtëpitë, pati mbi 50 viktima dhe gëzohem që Komisioni Evropian ka thirrur në një konferencë donatorësh, më 17 shkurt, për të çuar përpara rindërtimin dhe në këtë konferencë donatorësh do të marrë pjesë edhe Gjermania”, premtoi kancelaria. Ajo shtoi më tej se “bashkëpunimi dhe ndihma në rajon ishin impresionuese, e megjithatë ishte një goditje e rëndë për Shqipërinë”.
Kryeministri Edi Rama nga ana e tij theksoi se vizita në Berlin kishte në fokus konferencën e donatorëve dhe nevojën e madhe që Shqipëria ka për të gjetur mbështetjen e gjithë miqve dhe partnerëve në procesin e rindërtimit, pasi kjo tragjedi nuk është e përballueshme për shtetin shqiptar.
Rama tha se raporti i dëmeve që po përllogaritet nga BE, OKB dhe Banka Botërore, përmban një shumë që është përtej të gjitha mundësive tona për ta përballuar të vetën. “Po ashtu, më vjen shumë mirë që mund të diskutojmë edhe për perspektivën e integrimit europian të Shqipërisë, si dhe për bashkëpunimin rajonal ku roli i Gjermanisë dhe roli juaj personalisht ka qenë i jashtëzakonshëm në hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi me Procesin e Berlinit, që ka nevojë për t’u çuar më tutje. Në fund dëshiroj edhe njëherë të shpreh të gjithë konsideratën për mënyrën se si ka nisur puna e Komisionit Europian dhe të them që është shumë e rëndësishme ajo që ju nënvizuat, një dimension më i qartë edhe gjeopolitik, përveçse dimensionit tradicional teknik të Komisionit. Do të jetë një ndihmë e madhe për ne dhe për të gjithë rajonin”, tha Rama.
Në këtë vizitë kryeministri Edi Rama shoqërohej nga ministri i shtetit të Rindërtimin, Arben Ahmetajn dhe kryetarin e grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Shefi i qeverisë disa ditë më parë zhvilloi një takim në Itali, me kryeministrin Conte dhe ministrin e Jashtëm, Di Maio, e ku në fokusin e bisedimeve ishte Konferenca e Donatorëve që do të organizohet nga Komisioni Europian. Të martën, Rama do të zhvillojë edhe një takim në Bruksel me presidentin e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen. Qeveria akoma nuk ka hartuar një raport përfundimtar për nevojat që duhen për rindërtimin në zonat e prekura nga ndërtimi. Kryeministri Edi Rama ka dhënë një shifër paraprake duke theksuar se shifra që nevojitet nga BE është 1 miliardë euro.
Meta publikon foton e Ramës: Të zbatohet 9 kushtet
Presidenti Ilir Meta si rallë ndonjëherë ka reaguar ndaj takimit që kryeministri Edi Rama ka pasur me kancelaren gjermane Angela Merkel. Presidenti në rrjetet sociale postoi foton e kryeministrit shqiptar dhe kancelares, duke e shoqëruar me reagimin se përshendet qëndrimin e Merkelit.
“Përshëndes angazhimin e përsëritur të Kancelares Angela Merkel për çeljen e negociatave të anëtarësimit ndërmjet Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Zbatimi i 9 kushteve të Bundestagut me rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme, janë harta më e sigurt e rrugës europiane të Shqipërisë!”, shkruan Meta në Facebook.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.