Motosport

Merkato në Formula 1, Ferrari kërkon të rrëmbejë teknikët e Red Bull-it

Gazeta Si – Çështja ‘Horner’ ka vënë në lëvizje edhe merkaton në Formula 1, më saktësisht atë të inxhinierëve që njohin sekretet e zhvillimit të makinës kampione bote.

Te Red Bull-i, skuderia kampione në fuqi, ujërat nuk janë të qeta pas çështjes ‘Horner’, që vazhdon të diskutohet. Lajmet e fundit flasin për pezullimin e punonjëses që akuzonte drejtuesin kryesor të kësaj skuadre për sjellje të pahijshme me sfond seksual. Në anën tjetër, ka dalë hipoteza e kalimit të Maks Vershtapen te Mercedesi. Nga kjo situatë mund të përfitojnë të tjerët dhe Ferrari ka lëvizur.

Nga skuderia italiane duket se ka pasur një intensifikim të kontakteve me disa komponentë të zyrës teknike të skuadrës anglo-austriake. Bëhet fjalë për një sulm për ‘rrethin magjik’, që përbëhet nga tekinët që punojnë ngushtësisht me drejtorin teknik Pierr Uashè, krahun e djathtë të Adrian Njuei.

Praktikisht, këta persona mbajnë detyra të nivelit të dytë, por kjo nuk i bën ata më pak të rëndësishëm. Nga burime pranë Ferrarit është bërë me dije se u është bërë ofertë të paktën tre figurave të zinxhirit të komandës teknike. Janë pozicione kruçale në përcaktimin e detajeve të zhvillimit të makinës.

Këta teknikë njohin me detaje planet e evoluimit të RB20, si dhe paketat e modifikimit. Informacione që asnjë skuadër e Formulës 1 nuk mund t’i nënvlerësojë, sidomos përpara 2025-ës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë