Futboll

Merkato europiane/ Arsenali godet me Havertz për 76 mln euro, Kovaçiç te Siti

Gazeta Si – Lëviz me shpejtësi merkatoja europiane e futbollit, sidomos në Angli. Çelsi, pas shpenzimeve të çmendura të sezonit të fundit, tani po përpiqet të shesë. Kante ka shkuar në Arabinë Sudite, në dalje janë edhe shumë emra të tjerë.

Mateo Kovaçiç pritet të zyrtarizohet si përforcimi i parë i Mançester Sitit kampion Europe. Skuadra e Guardiolës ka gjetur një akord me Çelsin për 29 milionë euro, plus 5.8 bonuse. Kontrata e kroatit me londinezët skadonte në 2024-ën, ndërsa lojtari vetë kishte kohë që e kishte gjetur akordin me Sitin.

Kampionët e Premier Ligës e kanë siguruar këtë mesfushor, pavarësisht se çfarë ndodh me Ilkai Gyndogan, kontrata e të cilit skadon në fund të muajit, dhe me Bernardo Silvën, që po kërkohet nga PSG.

Kai Havertz. Gazeta Si, 21 qershor 2023

Një goditje të rëndësishme ka bërë edhe Arsenali, që ka marrë nga Çelsi sulmuesin gjerman Kai Havertz. Edhe për ‘Topçinjtë’ është afrimi i parë i verës. Akordi mes dy klubeve është arritur për 76 milionë euro, duke përfshirë edhe bonuset. Havertz prej kohësh kishte rënë dakord me Arsenalin, ai largohet nga Çelsi pas 3 sezonesh, ku momenti më kulmor ishte goli vendimtar në finalen e Championsit në 2021-shin.

Mançester Junajtid po bën gjithçka për Deklan Rajs, kapitenin e Uest Hemit, për të cilin është në garë edhe Arsenali. ‘Djajtë e kuq’, përveç parave, ofrojnë edhe dy lojtarë dhe konkretisht Meguajër dhe MekTominai.

Në Spanjë ka lajme për Realin e Madridit, që përveç rikthimit të sulmuesit Joselu, ka rinovuar edhe me Toni Kros. Gjermani ka zgjatur kontratën deri më 30 qershor 2024.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë