Futboll

Merkato e hapur për 7 muaj, FIFA ndihmon klubet në kohë pandemie

Jo vetëm kampionatet kombëtare dhe Kupat e Europës. Drejtuesit e futbollit botëror po studiojnë çdo aspekt që ka të bëjë me rinisjen e aktiviteteve pas emergjencës nga Koronavirusi, duke përfshirë edhe merkaton e verës. Humbjet financiare që po pësojnë klubet janë shumë të mëdha, aq sa rrezikojnë mbijetesën e tyre, sidomos kur bëhet fjalë për kategoritë inferiore.

Për këtë arsye, FIFA po mendon që ta zgjatë merkaton e verës deri në janar, duke u dhënë një dorë klubeve për të plotësuar organikën në këtë periudhë shumë të vështirë. Do të jetë një sesion i gjatë merkatoje, që nis si tradicionalisht në fillim të korrikut dhe zgjat 7 muaj, duke u bashkuar me sesionin e merkatos së dimrit. Lajmi bëhet i ditur nga “Telegraph”, që sqaron gjithashtu se ky propozim ka marrë edhe miratimin e shumë klubeve të mëdha në arenën botërore, duke e shtyrë FIFA-n që ta diskutojë zyrtarisht në selinë e saj.

Një vit më parë në Premier League u vendos që të mbyllej para kohe merkatoja e verës, më 8 gusht, për të evituar shpërqendrimin e lojtarëve nga zërat e merkatos, kur kampionati kishte filluar. Edhe Italia ishte dakord me këtë zgjidhje, por tani situata ndryshon dhe po flitet për një merkato që zgjat 7 muaj.

Emergjenca nga Koronavirusi është ajo që e detyron FIFA-n t’u vijë në ndihmë klubeve, duke marrë masa për shpëtimin e futbollit. Klubet duhet të rikuperojnë paratë e humbura dhe më pas mund të veprojnë më lirshëm në tregun e futbollistëve gjatë vjeshtës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë