Motosport

Mercedesi prezanton makinën e re me misionin për të rivalizuar fort Red Bull-in

Gazeta Si – Mercedesi ka bërë prezantimin online të W15, për të cilën skuderia nga Shtutgarti ka një mision të qartë: të ruajë pozitat si rivale kryesore e Red Bull-it dhe të fitojë terren ndaj skuadrës që po dominon me Maks Vershtapen tre sezonet e fundit.

Këtu e vë theksin Toto Volf, kurse Ljuis Hemilton dhe Xhorxh Rusëll do të bëjnë provat në Silverston para se W15, - që për nga ngjyrat ofron një miks mes të zezës, ngjyrës së argjendtë dhe të kuqes, - të shkojë në Bahrejn për testet para kampionatit.

Hemilton ka deklaruar se është i vendosur që ta ndihmojë shokun e skuadrës ta çojë Mercedesin në një përballje më të fortë me Red Bull-in në Botërorin që nis të shtunën e 2 marsit në Bahrejn. Organika e Mercedesit në sezonin e 90-vjetorit do të plotësohet nga pilotët rezervë Mik Shumaker dhe Fred Vesti.

“E dimë që kemi një mal për të ngjitur, që të luftojmë në linjën e parë. Nuk bëhen mrekulli në këtë sport, u nisëm me këmbën e gabuar dy vjet më parë, por mendojmë se e kemi kaluar atë fazë. Besoj se kemi realizuar me W15 një makinë më të sinqertë se dy të fundit, efiçente dhe të fuqishme”, - ka thënë Toto Volf.

"Kemi një mision përpara dhe ne jemi të vendosur për ta realizuar. Mësimet e dy sezoneve të fundit na kanë ndihmuar të gjejmë drejtimin tonë. I presim me kokën lart sfidat e reja. Një makinë më stabël do të na lejojë të tregojmë potencialin jo vetëm të veturës, por dhe ne pilotëve. E di se çfarë mund të bëjë kjo skuadër. Jemi të motivuar dhe do të japim gjithçka në udhëtimin që na pret", - është shprehur Hemilton.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë