Lajme

Meme e pankarta, protesta ndryshe e studentëve vazhdon

Në përpjekje për të mbajtur të ndezur shpirtin e protestës, një grup studentësh kanë menduar organizimin e një tubimi simbolik para Kryeministrisë këtë të enjte.

Në qendër të tubimit nuk do të jenë sloganet dhe as shifrat e pjesëmarrjes së protestuesve në të, por mesazhet e simbolika e përcjellë përmes pankartave dhe memeve që qarkulluan në rrjetet sociale dhe mediat tradicionale në 16 ditët e protestës studentore.

Protesta është thirrur në orën 10:00 të paradites së sotme para Kryeministrisë dhe zgjat deri në orën 16:00. Ajo organizohet një ditë pasi Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për shtyp për të njoftuar vendimet e Qeverisë për adresimin e tetë kërkesave të studentëve. Mes kërkesave ishte edhe ajo e rritjes së buxhetit për arsimin në masën 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Për këtë kërkesë, Kryeministri tha se nuk mund të realizohet, ndërkohë që për përgjysmimin e tarifave dhe zerimit të tyre për disa kategori tha se është marrë një vendim miratues nga ana e kabinetit qeveritar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë