Futboll

Mema e mbyll zyrtarisht, Tirana studion kandidatët për stolin

Jo vetëm Flamurtari, edhe Tirana do të ndryshojë trajner. Ardian Mema është larguar nga drejtimi i bardhebluve. Trajneri kryeqytetas nuk ishte i pranishëm në seancën e djeshme stërvitore, duke paralajmëruar largimin nga stoli bardheblu. Ai ka pasur një takim me presidentin Refik Halili, por marrëveshja mes tyre për mbylljen e bashkëpunimit u arrit vonë në mbrëmje.

Humbja në Ballsh solli të njëjtën situatë si pas derbit, ku Mema ishte drejt largimit, por më pas u konfirmua nga presidenti Halili. Këtë radhë nuk kishte kthim prapa, por Mema nuk pranonte të jepte dorëheqjen. Klubi nuk e shkarkonte dot, sepse në këtë situatë duhet ta shlyente financiarisht trajnerin, sipas kontratës. Por, pas shumë bisedimesh, palët kanë rënë dakord mes tyre dhe Mema e ka mbyllur aventurën bardheblu. Drejtuesi e Tiranës po shohin për alternativën më të mirë për zëvendësuesin e tij.

Kandidatët mbeten po ata që janë përfolur edhe pak javë më parë, ish-lojtarë të Tiranës, si Julian Ahmataj dhe Bledar Devolli. Megjithatë, nuk duhet përjashtuar ndonjë surprizë e minutave të fundit. Për trajnerin e ri në fakt nuk është shumë e vështirë, sepse edhe dy ish-trajnerë të bardhebluve, Mirel Josa dhe Sulejman Starova, aktualisht janë të lirë. Emërimi i trajnerit të ri të Tiranës është punë orësh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë