Njerez

Melania Trump: Jam njeriu më i tallur në botë

Katie Rogers/ NYTimes - Melania Trump, zonja e parë, ka thënë se arsyeja pse futi edhe abuzimin e mediave sociale në “Be Best”, fushata e saj për rritjen e ndërgjegjësimit mbi problemet e fëmijëve, është për shkak  se vetë ajo është një nga viktimat e  talljes.“Mund të them se jam njeriu më i tallur në botë”, ka thënë në një intervistë znj.Trump për ABC News, që u xhirua gjatë vizitës së saj në Kenia.E pyetur për të qartësuar nëse vërtet e besonte këtë, znj.Trump dukej sikur e kishte parapërgatitur përgjigjen.  “Nëse shihni vërtet çfarë thonë njerëzit për mua...”

Si një prej grave me më shumë vizibilitet në një vend gjithnjë e më të ndarë, znj.Trump nuk e ka krejt gabim: çdo deklaratë publike që bën, edhe kur ofron fjalë mbështetjeje pas një tragjedie apo promovon ndonjë nga nismat e saj, përballet me një valë abuzimesh, përfshirë edhe komentet e mbushura me urrejtje dhe fotografitë nga karriera e saj si modele.

Por komenti i saj sërish e vendos në kontrast me të shoqin, i njohur për talljet që i bën si kundërshtarëve ashtu edhe aleatëve. Dhe rreth së  njëjtës kohë kur ABC po transmetonte intervistën e saj, presidenti ishte në Fox News, duke u ndeshur publikisht me armiqtë e tij. Në një intervistë të gjatë me  “Fox & Friends”, programi i tij i parapëlqyer i mëngjesit, z.Trump u pyet rreth “zemëratës” që mori ndërsa merrte pjesë në një fushatë të  “Make America Great Again” në  Pensilvani, ndërsa një uragan vdekjeprurës godiste Floridën. “Në të vërtetë kishte fare pak, përveç asaj të urryesve të natyrshëm”, ka thënë z.Trump. Krahasuar me gjëra të tjera, mendoj se ishte shumë e vogël.”

Gjatë udhëtimit të saj gjashtë ditor në katër shtete afrikane, znj.Trump e përdori profilin e saj për të vënë në pah punën që administrata e Trump-it po bën për të asistuar me ndihmë të huaj. Duke vizituar fëmijë, duke ushqyer të vegjlit e elefantëve dhe duke përkëdhelur jetimë, znj.Trump, një zonjë e parë me jetë shumë private, bëri një hap të madh duke shfaqur një anë më të hapur të vetes – në një administratë presidenciale që është gjithnjë e më shumë izoluese në politikat e saj të jashtme.

Znj.Trump ka qenë më pak e suksesshme në shmangien e kritikave mbi atë çka ajo kishte veshur. Ajo u akuzua se ishte injorante  rreth  problemeve  të popullit afrikan kur vendosi të veshë një helmetë të bardhë – simbol i sundimit kolonial- ndërsa ishte në safari në Kenia. Veshja që kishte gjatë vizitës në Sfinksin e Madh në Egjipt, gjithashtu u kritikua se dukej si kostum për festa me maska. “Do të doja që njerëzit të përqendroheshin tek ajo çka bëj”, ka thënë e dëshpëruar në një nga komentet e saj të rralla për gazetarët, znj. Trump, “jo tek ajo çka vesh.”

Znj. Trump ndan të njëjtat ankesa me të shoqin për mënyrën sesi familja Trump pasqyrohet ne media. Ajo gjithashtu ndan mosbesimin e njerëzve jashtë rrethit të brendshëm të Trump-it. Në një intervistë, znj.Trump ka thënë se kishte ndihmës  në Krahun perëndimor, të cilëve  i shoqi nuk mund t’u besonte. “Është e vështirë të qeverisësh”, ka thënë znj.Trump. “Duhet të ruhesh gjithnjë.”

Stephanie Grisham, drejtoresha e saj e komunikimeve, ka thënë se,  duke folur rreth përvojës së saj, në intervistën e ABC-së, zonja  e parë po përpiqej të tërhiqte më shumë vëmendje drejt nismës. “Këndvështrimi i saj ishte se njerëzit mund të tregohen vërtet mizorë online”, ka thënë znj.Grisham. “ ndaj përmes “Be Best” ajo shpreson të edukojë fëmijët dhe të sigurojë mjete për t’i ndihmuar ata të përballen me sjelljen e rrezikshme online.”Znj. Trump nuk është e para në rolin e saj që përballet me kaq shumë urrejtje online. Paraardhësja e saj, Michelle Obama, përballej shpesh me komente raciste dhe meme dhe ende përballet me to: pasi portretet zyrtare të presidentit dhe znj.Obama u shfaqën në fillim të këtij viti, kritikët u tallën duke përdorur imazhe raciste.

“Gjatë viteve, njerëzit kanë përdorur plot fjalë të çuditshme për të më përshkruar,”, ka  thënë  znj.Obama gjatë një fjalimi më 2015-ën, në Universitetin Tuskegee. “Lajmet e televizioneve kabllore dikur më referoheshin si “ Mamaja e foshnjës Obama”. Znj.Obama shtonte se i shoqi ende përballet me kritika nga njerëzit që  e akuzonin se ishte shtetas nga Kenia  si pjesë e lëvizjes së ashtuquajtur  “Birther”, bërë të famshme nga z.Trump. “Edhe sot ka njerëz që vënë në pikëpyetje shtetësinë e tij.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë