Ne rrjet

Melania Trump dhe Jill Biden, dy gratë e përballjes presidenciale në SHBA

Melania Trump, Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara, ishte modele para se të martohej me presidentin Donald Trump para 15 vjetësh. Ajo është imigrante nga Sllovenia dhe zakonisht u shmanget daljeve publike, përveç rasteve kur flet në emër të kauzave që mbështet, që përqendrohen përgjithësisht tek mirëqenia e fëmijëve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti përmbledh disa nga tiparet më të spikatura që e dallojnë Melania Trump si Zonjë e Parë.

Zonja e Parë Melania Trump, gjithmonë elegante dhe e veshur bukur.

Një imigrante që u rrit në Slloveni, një ish-republikë jugosllave me një popullsi prej dy milionësh, ku ende jetojnë miqtë e saj të fëmijërisë.

"Ishte shumë njeri pozitiv. I pëlqente të lexonte. I pëlqente gjithashtu të stilonte, të bënte rroba të reja nga ato të vjetrat”, thotë Mirjana Jelançiç. shoqe fëmijërie e Melanias.

Ai pasion për t’u veshur bukur e ndihmoi të siguronte punën e parë si modele, përmes së cilës ajo erdhi në Shtetet e Bashkuara.

“Është e para Zonjë e Parë imigrante që pas gruas së Presidentit John Quincy Adams, Louisa në shekullin e 19-të”, thotë gazetarja e revistës People, Michelle Tauber.

Melania dhe presidenti Donald Trump me një diferencë prej 24 vjetësh, u takuan në një festë dhe u martuan në vitin 2005.

Barron Trump lindi një vit më pas dhe është djali në moshë më të vogël i një presidenti, pas atij të presidentit Kennedy, John F. Kennedy, Junior, në vitin 1963.

“Ajo është një mama e mrekullueshme dhe e do shumë djalin e saj, Barron”, thotë Presidenti Donald Trump.

“Atij i pëlqen shkolla dhe sporti. Është atlet i zoti. Dhe dua ta ruaj nga vëmendja e tepruar tani për tani”, thotë Melania për të birin.

Ajo vetë i shmanget syrit të publikut, përveç ndonjë paraqitjeje për kauzat të saj.

Fushata e saj “BE BEST” është e përqendruar tek mirëqenia e fëmijëve. Në korrik ajo shpërndau ushqime në një qendër për nënat e pastreha. Fushata e saj është gjithashtu kundër bulizmit në mediat sociale.

"Teknologjia u mundëson njerëzve një mburojë digjitale për t’u fshehur dhe anonimiteti shpesh zëvendëson kujdesin dhe përgjegjësinë, që mund t’i bëjë edhe fëmijët dhe të rriturit të jenë më të guximshëm për të qenë të egër”, shprehet Melania.

Ajo nuk ka folur publikisht për mesazhet e të shoqit në Twitter, që shpesh i trajton ashpër kundërshtarët. Kur ai u tall me veprimtaren ambjentaliste, Greta Thunberg, zyra e saj nxorri një deklaratë ku thuhej: “Nuk është sekret që Presidenti dhe Zonja e Parë, shpesh komunikojnë ndryshe, si shumë çifte”.

Ndonjëherë ajo vetë është vënë në shënjestër. Kur Presidenti Trump fitoi zgjedhjet, sllovenët vendosën një statujë për nder të saj, me veshjen e ditës së inaugurimit.

Por më 4 korrik të këtij viti, dita e Pavarësisë amerikane, vandalët i vunë zjarrin dhe statuja u hoq.

“Është një detyrë shumë e vështirë. Është më e lehtë për zonjat e para që kanë luajtur një rol të ngjashëm më pare, por për dikë që nuk ka qenë kurrë më parë në qeveri, është një punë e vështirë”, është shprehur analistja Cokie Roberts, e cila nuk jeton më.

Melania Trump është katolike, e para Zonjë e Parë katolike, që pas Jacqueline Kennedy. Është e vetmja Zonjë e Parë që flet pesë gjuhë të huaja.

“Është nder për mua dhe një kënaqësi e madhe që jam këtu para jush, si Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara”, tha ajo në një rast.

Megjithëse ajo i ka kaluar katër vitet e fundit kryesisht larg kamerave, ekspertët thonë se Melania Trump do të jetë më shumë e pranishme publikisht, ndërsa përpiqet të jetë zonjë e parë edhe për një mandat tjetër.

Jill Biden

Ish-Zonja e Dytë Jill Biden në fushatë përkrah bashkëshortit, Joe Biden

Jill Biden, bashkëshortja e pretendentit demokrat si kandidat në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, është shkëputur përkohësisht nga karriera si pedagoge për të ndihmuar të shoqin në fushatën presidenciale. Zonja Biden e njeh mirë jetën e bashkëshortes së një politikani pasi Joe Biden ka kaluar 36 vjet në Senat si përfaqësues i shtetit Delauer dhe tetë vjet si nënpresident në administratën e Presidentit Obama.

Aktivitete fushate përmes internetit janë këto ditë një fakt i jetës së përditshme të zonjës Biden, e cila po mbështet të shoqin në fushatë.

Këtë radhë ajo po bisedon me një grup grash latino-amerikane. Një ditë më parë ajo bisedoi me studentë.

Ajo shprehet e nderuar për këtë mundësi:

“Jam Jill Biden dhe e kam për nder që jam pedagoge në një kolegj komuniteti”.

Për herë të parë në historinë e vendit, Jill Biden u bë Zonja e Dytë e Shteteve të Bashkuara që vazhdonte karrierën si pedagoge kur i shoqi u bë nënpresident amerikan.

“Shumë prej studentëve të mi nuk e dinë që kam dy punë”.

Në fjalimin para diplomantëve të kolegjit ku punon, ajo tregoi historinë e një nxënësi që kishte rendur në klasë duke thënë…

“Dr. Biden, ju pashë mbrëmë në televizor me Michelle Obamën. Thirra nënën dhe i tregova: Kjo është pedagogia ime e anglishtes. Nëna më tha: ‘Nuk është pedagogia jote, është Zonja e Dytë e vendit’,” tregon ajo.

Nëse zoti Biden fiton zgjedhjet, Jill Biden do të bëhet e para bashkëshorte presidenciale me gradë doktorature. Betty Boyd Caroli është autore e librit “Zonjat e Para”:

“Parashikoj që ajo do të jetë shumë aktive në disa nisma për sistemin arsimor. Por shumë njerëz duan që Zonja e Parë të mos përziehet në politikë. Shumë njerëz e vlerësojnë Zonjën e Parë vetëm nga rrobat që vesh. Unë mendoj ndryshe: Zonja e Parë ka një platformë të fuqishme për ndryshim”.

Jeta me Joe Biden nuk ishte pa vështirësi. Ajo vetë po divorcohej. Zoti Biden kishte kaluar një tragjedi familjare dhe ishte i ve me dy djem të vegjël, pasi i kishte vdekur bashkëshortja dhe vajza në aksident. Ai i propozoi pesë herë radhazi, para se ajo të pranonte:

“Pas pesë herësh, i thashë ‘Krenaria ime irlandeze nuk më lejon të vazhdoj. Po të pyes për herë të fundit. Nuk ka nevojë të më thuash kur do të martohesh me mua, vetëm nëse pranon të martohemi bashkë’. Më tha ‘Po’,” tregon zoti Biden.

Katër vjet më pas, Jill Biden lindi vajzën e çiftit. Në 2015, një tjetër tragjedi familjare: djali i zotit Biden, Beau, vdiq nga kanceri në tru.

Si rezultat, në listën e kauzave që ka përqafuar Jill Biden është edhe beteja kundër kancerit.

Në qershor të këtij viti, Jill Biden botoi një libër për fëmijë mbi vitet e para të karrierës së bashkëshortit të saj, si dhe për vështirësitë dhe talljet që kishte duruar në fëmijëri ngaqë i merrej goja.

Zonja Biden demonstroi në dy raste të ndryshme gatishmërinë e saj për të mbrojtur të shoqin gjatë një aktiviteti për fushatë në mars, kur një protestues u përpoq t’i afrohej kandidatit.

Megjithëse shtëpia e familjes Biden është në shtetin e Delauerit, Jill Biden ka jetuar në Uashington gjatë 21 viteve të fundit të karrierës së zotit Biden si senator dhe tetë vjet më pas në rezidencën e nënpresidentit. Ajo shpreson që të kthehet përsëri së paku për një mandat katër vjeçar presidencial. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë