Rend dhe Ligj

Mega-operacion anti-drogë në Belgjikë, shkatërrohet rrjeti shqiptar i trafikut të kokainës (Foto)

Mbi 1.000 agjentë të policisë belge, të mbështetur nga forcat speciale, kanë kryer të martën, 26 tetor, një mega-operacion antidrogë në zona të ndryshme të vendit, kryesisht në Bruksel.

Më shumë se 130 kontrolle në shtëpi, vila dhe objekte janë zhvilluar për të shkatërruar një rrjet kriminal shqiptar që merrej me shpërndarjen e drogës dhe që ishin të specializuar në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe lëndëve të tjera narkotike.

Sipas mediave në Belgjikë, bëhet fjalë për operacionin më të madh të drogës të kryer ndonjëherë në vend. Shtypi lokal raporton se trafikantët, pjesa më e madhe shqiptarë, kishin vite që vepronin në Belgjikë për trafikun e drogës.

Në një operacion në Anversë, policia ka arrestuar 10 persona, ku 6 prej tyre kanë punuar më parë në port. Në Liezh, 27 persona janë arrestuar në lidhje me një sasi droge me vlerë 80 milionë euro.

Po ashtu gjatë operacioneve janë sekuestruar 8 armë zjarri, mes tyre 5 kallashnikovë, 80 mijë euro cash, celularë, mjete, dhe bizhuteri me vlerë.

Javën e kaluar u zhvillua operacioni i parë në Liezh, që u ndoq nga një tjetër në Anversë të hënën, ndërsa të martën u zhvillua ai në kryeqytet.

I rëndësishëm për këtë operacion, ka qenë dekriptimi i mesazheve të kriminelëve që i shkëmbenin nëpërmjet një rrjeti komunikimi që mendonin se ishte i sigurt.

Në qendër të hetimit, i cili kishte nisur para dy vjetësh, ka qenë trafiku i kokainës, që në Europë sipas mediave, menaxhohet kryesisht nga mafia shqiptare, të cilët kanë kontakte direkte me prodhuesit në Amerikën Latine dhe lehtësojnë shpërndarjen në Gjermani, Itali dhe Belgjikë.

Për vite me radhë, rrjetet kriminale kanë trafikuar me tonelata kokainën nga portet e Anversës në Belgjikë, Hamburgut në Gjermani dhe Le Havres në Francë.

Brukseli duket se shërben si qendër logjistike, ku droga përpunohet në laboratorë dhe ruhet në ndërtesa të ndryshme, ndonjëherë edhe në zemër të qytetit, përpara se të shpërndahet në vendet e tjera.

Sipas gazetës belge, ‘niewsblad.be’, deri pak vite më parë, “mafia shqiptare e drogës vepronte kryesisht nga vendlindja e saj, ku mundën të ndërtonin plantacione të mëdha kanabisi pa guxuar që qeveria t'i pengonte. Por prej disa vitesh, trafikantët e drogës “kanë filluar të shkojnë në vende të tjera, duke përfshirë kryesisht Belgjikën, Holandën, Britaninë e Madhe, Irlandën dhe Gjermaninë”, për të vijuar aktivitetin e tyre të paligjshëm.

“Është një organizatë kriminale që dyshohet se është aktive në tregtinë e kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës”, ​​tha Eric Jacobs, drejtor i Policisë Gjyqësore Federale (FGP) të Brukselit. "Një grup kriminelësh, me bazë në Belgjikë, është përgjegjës për marrjen e kokainës, nxjerrjen dhe ripaketimin e saj në laboratorët belg."

Shërbimet e policisë zbuluan 6 laboratorë të tillë, ku kokaina e importuar në Belgjikë, ripaketohej për shpërndarje në të gjithë Evropën. Ato ndodheshin në Bruksel, por edhe në zonat e Flanders dhe Wallonias.

Gjatë operacionit, u sekuestruan tonelata produkte dhe materiale të dyshuara që shërbenin për magazinimin e kokainës, përveç dhjetëra armë zjarri, 57 automjete, 300 metër kub duhan.

“Ne gjithashtu konfiskuam pajisje kundërmasash, - vazhdon drejtori Jacobs, - pajisje teknike, bllokues, detektorë, dronë". Shuma të konsiderueshme parash qarkullonin brenda organizatës kriminale dhe hetimi zbuloi kanale pastrimi parash përmes strukturave tregtare kombëtare dhe ndërkombëtare, veçanërisht në parajsat fiskale.

Mes 64 të arrestuarve ka persona me kombësi shqiptare, por edhe shtetas kolumbianë. “Kjo tregon se në territorin tonë ka trafikantë droge që vijnë direkt nga Amerika Latine”, tha policia.

Hetimet e mëtejshme duhet të sqarojnë ende se cili ishte roli i të arrestuarve të ndryshëm në organizatë, por sipas drejtorit Jacobs, janë kryesisht nivelet më të larta të organizatës që janë shënjestruar gjatë operacionit.

Burimi: Hbvl.be; Përshtati në shqip: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë