Bota

Medvedev: Rusia ka të drejtë të përdorë armë bërthamore nëse e sheh të nevojshme

Gazeta Si - "Rusia ka të drejtë të përdorë armë bërthamore, nëse është e nevojshme, në bazë të doktrinës bërthamore".

Nënkryetari i këshillit rus të Sigurisë dhe ish-presidenti i Federatës, Dmitry Medvedev, nuk i zbut asnjëherë tonet kur flet për përdorimin e armëve bërthamore që kur ka nisur lufta në Ukrainë.

I cituar nga agjencia e lajmeve “Tass”, Rusia - shtoi ai - "do të bëjë gjithçka që është e mundur për të parandaluar fqinjët armiqësorë, si Ukraina, të blejnë armë bërthamore".

Ndërkohë, Kremlini njoftoise ka "kontakte" sporadike me Shtetet e Bashkuara për çështje që lidhen me armët bërthamore pak ditë pasi presidenti Vladimir Putin tha se ai "nuk po bënte blof" kur pohoi se ishte gati të përdorte armë bërthamore nëse ndjente se integriteti territorial i Rusisë do të kërcënohej.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se të dy palët mbajnë një kanal të kufizuar dialogu të hapur që lejon "shkëmbimin urgjent të mesazheve" midis dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

“Ka kanale për dialog në nivelin e duhur, por ato janë shumë sporadike në natyrë. Të paktën lejojnë shkëmbimin e disa mesazheve urgjente për pozicionet e palës tjetër”, tha Peskov.

Putin tha javën e kaluar se Moska ishte e përgatitur të përdorte armë bërthamore "për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë", ndërsa ai njoftoi një ngritje ushtarake që kërcënon të përshkallëzojë më tej konfliktin shtatë mujor në Ukrainë.

Shtetet e Bashkuara paralajmëruan Moskën të dielën se do të kishte "pasoja katastrofike" nëse përdor armë bërthamore në Ukrainë.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara do të "përgjigjen me vendosmëri" nëse Rusia do të zhvillonte armë të ngjashme kundër Ukrainës.

Ai nuk dha detaje publike, por tha se Uashingtoni i kishte thënë privatisht Moskës "në detaje më të specifike se çfarë mund të thotë kjo".

Peskov nuk pranoi të komentonte kur u pyet se çfarë nënkuptonin Shtetet e Bashkuara kur e paralajmëruan Rusinë për "pasoja katastrofike".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë