Politike

Mediu: Modeli i Berishës të sjell në pushtet

Aleati tradicional i Partisë Demokratike, kryerepublikani Fatmir Mediu duket se ka rezerva e tij për mënyrën se si po vepron opozita e re nën drejtimin e kryedemokratit Lulzim Basha. Nga Asambleja e Partisë Republikane, Mediu ka shpallur platformën e partisë që drejton, duke i bërë të ditur se ato ia ka paraqitur edhe liderit të PD-së, Lulzim Basha.
Gjatë fjalës së tij, Mediu shprehu nevojën e mirëfunksionimit e opozitës, duke përmendur këtu si të shkëlqyer modelin që ndoqi Sali Berisha në vitin 2005, ku e solli në pushtet. Gjatë fjalës së tij, Mediu u shpreh se qeveria nuk duhet të jetë i vetmi qëllimi opozitës dhe ajo duhet t`i ofrojë shqiptarëve shtetin e tyre, prandaj duhet kapërcyer perceptimi se qeveria e nesërme është ajo e drejtuesve të opozitës.

Asambleja e Partisë Republikane, e mbajtur sot më 2 nëntor. Gazeta SI


“Historia politike e ndjekur nga Berisha në vitet 2000-2005 në opozitë, është një histori suksesi për ndërtimin e koalicionit, marrëdhënieve me ndërkombëtarët, bashkimin e të djathtës së përçarë dhe finalizimi me KOP, duke ofruar në garën elektorale, politik bërje dhe qeveri, figura të reja. Figura politike dhe qeverisëse të opozitës, si dhe figura intelektuale të artit, mjekësisë, Universiteteve, kulturës, me figura të shquara, që janë jashtë vendit. Afrimi i intelektualëve me emër, në emër të bashkëqeverisjes”, theksoi Mediu.
Në këtë platformë që PR-ja ia ka paraqitur me shkrim Bashës, theksohet se kërkohet institucionalizimi i vendimmarrjes së kryetarëve të koalicionit opozitar, drejtuar nga kryetari i PD-së. Takim minimumi 1 herë në 2 javë i kryetarëve; takimet të jenë tematike dhe me subjekt të caktuar çështjesh dhe të shoqëruara me vendimmarrje të shkruar, si dhe personat përgjegjës që do e ndjekin për zbatim. Mbledhja është e detyrueshme të mblidhet me kërkesën e çdonjërit nga kryetarët e opozitës. Gjithashtu propozohet edhe tryeza ekzekutive në nivel Sekretari të Përgjithshëm ose n/kryetarësh, drejtuar nga PD.
Mediu kwrkon edhe ngritjen e një Senati të opozitës dhe afrimi i intelektualëve në emër të bashkëqeverisjes. Gjithashtu kërkohet krijimi i këshillave ku duhet të afrohen edhe njerëzit që kanë kontribuar edhe më parë në PD, ish-deputetë, ish-ministra, ish-kryetarë bashkie, duke krijuar atë që në kohën e Berishës u cilësua si KOP.

Asambleja e Partisë Republikane, e mbajtur sot më 2 nëntor. Gazeta SI


Sa i përket çështjes së integrimit, kryerepublikani ka propozuar caktimin e dy ish-ministrave të Jashtëm, Arta Dade, ish-deputete e PS-së dhe të Besnik Mustafajt si drejtues një komiteti të posaçëm. “Ky komitet të bashkëkryesohet nga Mustafaj dhe Dade. Në përbërje të tij të jenë ish-kryeministra, ish-ministra të Jashtëm dhe të Integrimit, ish kryetarët e Komisioneve të Integrimit Europian të Parlamentit”, theksoi Mediu.
Sa i përket reformës zgjedhore, Mediu duket se ka një ndasi me kryedemokratin Lulzim Basha. Ndërsa PD-ja është për një sistem mazhoritar me sistem direkt, Partia Republikane kërkon atë proporcional kombëtar me lista të hapura me votim preferencial. “Në thelb të këtij propozimi, qëndron Sistemi Proporcional Kombëtar me lista të hapura, sipas së cilës votuesi përzgjedh partinë që dëshiron dhe brenda kësaj partie 10% të kandidatëve të listës së asaj partie. Në fund deputetë përzgjidhen ata kandidatë që kanë marrë më shumë vota në rang kombëtar. Po ashtu mbetjet e votave i shkojnë listës së partisë përkatëse, votat të cilat nuk plotësojnë numrin e nevojshëm për deputet, i shkojnë Partisë me presjen më të madhe dhjetore”, theksoi Mediu. Sipas tij kjo do të bënte edhe përmirësimin e Parlamentit dhe afrimin e intelektualëve. Ndërsa si propozim tjetër është edhe ndryshimi i Kushtetutës, krijimi i dy dhomave, Parlamentit (Dhomës) dhe Senatit, duke ushtruar një pjesë të kompetencave të Gjykatës Kushtetuese dhe pjesa tjetër e kompetencave t’i kalojë Gjykatës së Lartë.
Marrëveshje për ndryshim të Kushtetutës dhe vendosje të një dispozite tranzitore deri në anëtarësimin në BE, për krijimin e një qeverie tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve, sipas modelit maqedonas është një tjetër propozim i kryerepublikanit Mediu. Ndërsa për reformën zgjedhore ai kërkon që të realizohet me në bashkëpunim me PS-në, e me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë