Ne rrjet

Mediat serbe: Kurti pranoi Asociacionin, Vuçiç marrëveshjen por kërkon firmosjen pas zgjedhjeve

Nga Gazeta ‘Si’-Gjatë takimeve të ndara të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Bruksel me përfaqësuesit e Bashkimit Europian janë bërë hapa të rëndësishëm drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, shkruajnë mediat në Serbi.

Referuar gazetës serbe “Nova", propozimi për statutin e këtij Asociacioni është pranuar nga të dyja palët, por aktualisht po kërkohet një formë e përshtatshme që do të kënaqë edhe Beogradin edhe Prishtinën.

Sipas saj, Kurti pranoi themelimin e Asociacionit edhe Vuçiçi ka pranuar draftin dhe dinamikën e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, por ka kërkuar që të mos ketë nënshkrim para datës 17 dhjetor, kur zhvillohen zgjedhjet në Serbi.

Pas takimeve të ndara në selinë e Bashkimit Europian, dukej se të dyja palët ishin larg çdo marrëveshjeje shkruan Nova. Teksa presidenti i Serbisë pretendonte se anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara ishte i papranueshëm për Serbinë, nga Prishtina erdhën mesazhe se ishte Vuçiç ai që refuzoi të nënshkruajë marrëveshjen e propozuar nga Brukseli.

Nova thekson se nënshkrimi i mundshëm mund të vijë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi, të cilat janë planifikuar për 17 dhjetor.

“Aty është shfaqur kërkesa e Kurtit për anëtarësim në BE dhe NATO dhe ka kërkuar që një gjë të tillë ta bëjnë pesë shtetet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën. Vuçiç e ka pranuar draftin dhe dinamikën e zbatimit të marrëveshjes së Ohrit, por pa nënshkrim, por kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë nënshkrim.

Ecuria e negociatave u ndikua ndjeshëm nga fakti se u propozuan dy modele marrëveshjeje: Njëri që do të përfshinte një deklaratë të detajuar nga të dyja palët dhe do të kishte të njëjtën peshë me nënshkrimet, dhe tjetri që do të përfshinte marrëveshje të veçanta midis të dyja palëve me Bashkimin Europian. Vuçiç pranoi gjithçka, përfshirë edhe nënshkrimin e marrëveshjes, por jo me Kurtin për të njëjtin dokument”, shkruhet në median serbe.

Sipas saj Vuçiç gjithashtu theksoi se nënshkrimi i mundshëm mund të vijë vetëm pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi dhe sugjeroi ndër të tjera që presidenti i Francës të vizitojë Beogradin në muajin e ardhshëm, që përkon me periudhën parazgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë