Ne rrjet

Mediat e huaja: Shqipëria liron Tahirin një muaj para negociatave

Gjyqi ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është ndjekur me vëmendje të madhe jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe nga mediet ndërkombëtarët. Në sallën ku u mbajt gjyqi maratonë ndaj ish-ministrit të akuzuar për trafik droge, kishte jo vetëm përfaqësues të ambasadave të huaja, por nga gazetarë të huaj, të cilët e kanë pasqyruar vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Pas më shumë se 10 orë në dhomën e këshillimit, kjo gjykatë e dënoi me shërbim prove për tri vite Tahirin, për “Shpërdorim detyre”, dhe rrëzoi 3 akuzat e ngritura nga Prokuroria. Dënimi me burg i Tahirit u konvertua në shërbim prove. Vendimi i bërë publik nga treshja e gjyqtarëve në orët e mbrëmjes po komentohet nga mediat ndërkombëtare, të cilat që në titull raportojnë se një gjykatë shqiptare e ka liruar nga akuzat për trafik droge ish-ministrin e brendshëm.

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” i kushton një artikull Saimir Tahirit, duke u hapur me titullin “Ish-ministri shqiptar i pastër për akuzat e drogës, fajtor për shpërdorim detyre”. Ajo thekson se lirimi i tij nga akuzat vjen një muaj para vendimit të Këshillit të BE-së për negociatat.

Artikulli i "Reuters"


“Prokurorët donin që Tahiri, dikur një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Edi Rama, të burgosej për 12 vjet me akuzën e korrupsionit, trafikut të drogës dhe të qenurit pjesë e një grupi kriminal, një rast që ka tronditur administratën e majtë”, shkruan “Reuters”. Vendimi vjen një muaj para se vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të interesuar të shohin Tiranën të rritë luftën e saj kundër korrupsionit, të takohen për të vendosur nëse do të mbështesin ofertën e Shqipërisë për të filluar bisedimet e pranimit të rekomanduara nga Komisioni Europian. Socialistët në pushtet hodhën poshtë kërkesën për të hequr imunitetin e Tahirit nga ndjekja penale vitin e kaluar, por ai hoqi dorë vetë nga mandati në muajin maj, pasi BE kërkoi nga Tirana që të luftonte seriozisht korrupsionin, nëse dëshironte të bashkohej”, thekson agjencia prestigjioze e lajmeve.

Nga ana tjetër, televizoni “EuroNews” sjell në vëmendje edhe hapat e para të Tahirit si ministër i Brendshëm, duke e cilësuar yllin të rritje të Partisë Socialiste.

Artikulli i "EuroNews"


“Si një nga yjet në ngjitje të qeverisë kur u emërua ministër i Brendshëm në vitin 2013, kur ishte vetëm 34 vjeç, Tahiri filloi modernizimin e forcës policore dhe i dha fund prodhimit në shkallë industriale të kanabisit në Lazarat në fillim të vitit 2014. Sidoqoftë, kanabisi më pas u përhap në të gjithë vendet e Ballkanit dhe trafikantët kanë zbarkuar ngarkesa deri në një ton në Itali”, thekson “EuroNews”.

Gjyqi maratonë ndaj tij nuk i ka shpëtuar as mediave italiane, pasi autoritetet e vendit fqinj dënuan kushuririn e ish-ministrit Tahiri me burg, disa muaj më parë.

Agjencia italiane e lajmeve, “Ansa”, shkruan se me aktvendimin e saj, Gjykata hodhi poshtë kërkesën e prokurorisë ndaj Tahirit për një dënim 12-vjeçar për "trafik droge" dhe pjesmarrje në një organizatë kriminale.

Artikulli i "ANSA"



“Ish-minister ne kabinetin e kryeministrit socialist të Edi Ramës, në detyrë deri në marsin e 2017-ës, Tahiri përfundoi në gjyq pas hetimeve të kryera në Itali, hetime që çuan, në tetor të po këtij viti, në shkaterrimin e një organizatë kriminale e përbërë nga italianë dhe shqiptarë, disa të afërm të ish-ministrit, qe merreshin me trafikimin ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Tahiri tashmë ka njoftuar se do të apelojë vendimin”, raporton mëngjesin e të premtes “Ansa”.

Ndërkohë një lajm edhe më i gjatë vjen nga agjencia ballkanike e lajmeve “Balkan Insight”, e cila thotë se provat kundër Tahirit shkaktuan “tërmet politik” në institucionet politik dhe shoqërinë shqiptare. Kjo media sjell në vëmendje se Tahiri shërbeu si Ministër i Brendshëm për gati katër vjet, nga 2013-ta deri në vitin 2017. “Ky ishte një rekord në Shqipërinë post-komuniste, ku ministrat e brendshëm rrallë zgjasin dy vjet”, shkruan “Ballkan Insight”.

Artikulli i "Balkasn Insight"

“Partia kryesore e opozitës në Shqipëri reagoi me zemërim pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Krimeve të Rënda në Tiranë e shpalli ish-ministrin e brendshëm Saimir Tahiri jo fajtor për akuzat e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe pjesëmarrjen në një organizatë kriminale. Në vend të kësaj i dha atij një dënim për shpërdorim detyre në lidhje me aktivitetet e një bande kriminale që funksiononte pa u ndëshkuar për vite të tëra deri në 2017, kur policia italiane ra në gjurmët e saj. Tahiri e quajti qesharak vendimin dhe njoftoi se do të apelonte”, shkruan “Ballkan Insight”. Partia Demokratike e opozitës kritikoi vendimin dhe drejtuesi i saj, Lulzim Basha, e quajti atë "të turpshëm", duke deklaruar se ai tregon se kryeministri Edi Rama e ka mbrojtur Tahirin. Pasi Tahiri u shkarkua si Ministër i Brendshëm, policia italiane arrestoi rreth 11 anëtarë të një organizate kriminale përgjegjëse për trafikimin e marijuanës nga Shqipëria e Jugut në Siçili”, thekson media e njohur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë