Muzike

Mediat e huaja i bëjnë jehonë koncertit të Rita Orës në Tiranë

Nga Gazeta Si - Rita Ora bëri një shfaqje spektakolare teksa doli në skenë në një koncert triumfues në Shqipëri.

Kështu e përshkruan Daily Mail koncertin e Rita Orës në Tiranë. 

Këngëtarja, 31 vjeçe, ka lindur në Kosovë nga prindër me origjinë shqiptare, pastaj kanë emigruar në Londër. Por ajo e cilëson Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, si shtëpinë e saj.

Të martën, Rita Ora u ngjit në skenën në sheshin Skënderbej në Tiranë ku performoi një spektakël me 14 këngë, një koncert që ajo e cilësoi si “të paharrueshëm”.

Rita dukej spektakolare me kostumin e saj të shndritshëm me detajet e shqiponjës.

Veshja e saj ishte një pjesë e krijuar enkas për të nga kolegu shqiptar dhe stilisti i njohur, Valdrin Sahiti, i cili ka bërë veshje për Beyonce, Cardi B, Paris Hilton dhe Angelica Ross.

Autorja e hitit “Lonely Together” kaloi nëpër skenë dhe performoi me një sërë kërcimtarësh mbështetës, ndërsa pas saj u ndezën fishekzjarrë.

Rita është parë duke qëndruar me njërën dorë pas shpine teksa ka ngritur me krenari flamurin shqiptar në ajër.

Rita e hapi performancën e saj me këngën e vitit 2019 “Ritual” përpara se të këndonte një përzgjedhje të hiteve të saj ndër vite, duke përfshirë “Your Song” dhe “Hot Right Now”, dhe të përfundonte te “Lonely Together” dhe “Anywhere”.

Koncerti u organizua për të festuar shpalljen e kryeqytetit si Kryeqyteti i Rinisë së BE-së për vitin 2022.

Duke folur për koncertin më herët Rita tha se nuk do ta harrojë kurrë shfaqjen në vendin e prindërve të saj.

Gjatë udhëtimit të saj, Rita u nderua me Urdhrin Naim Frashëri nga Presidenti i Shqipërisë, z. Bajram Begaj.

Ajo tha: “Ka disa gjëra në jetë që nuk i harroni kurrë, ky udhëtim do të jetë një prej tyre. Sot ka qenë një ditë joreale”.

Rita ka lindur në Prishtinë, Kosovë, por është me origjinë shqiptare dhe u shpërngul që fëmijë në Londër me prindërit e saj kur ata kërkuan strehim në Britani të Madhe. /DailyMail/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë