Njerez

“Më trego si do të jetë jeta ime…” Fallxhoret, moda që nuk vdes kurrë

Nga Sorgena Leka - Besojnë ose jo, kanë qenë ndonjëherë apo jo, çdo njeri e njeh një fallxhore në mos afër tyre, kanë dëgjuar dikë që njeh “një fallxhore të mirë që të zbulon dhe thotë çdo gjë”.

Nga ana tjetër, ka të tjerë që shtëpinë e dytë e kanë tek Tirja, Bedria, Bukuria që janë disa nga fallxhoret e shumta në vendin tonë.

“Unë shtëpinë 2-katëshe e kam bërë vetëm nga njerëzit që më vijnë këtu”, tregon Tirja, një fallxhore 45-vjeçare e cila ka 25 vite që e bën këtë “profesion” të cilën thotë se e ka trashëgimi nga gjyshja e saj.

Ajo thotë për Gazetasi.al se ka ‘klientë’ që tashmë bëjnë vite që shkojnë çdo muaj tek ajo dhe praktikisht drejtojnë jetën e tyre në varësi të asaj që shkruhet në fund të filxhanit.

Klientët janë femra në 90% të rasteve dhe deri para pak kohësh kishte më shumë gra të moshave 40-60 vjeç por tani ka një trend që shkon në 20-30 vjeç.

Këto vajza kanë kërkesa pothuajse të njëjta. Duan të kenë një punë më të mirë, të dinë se kur do e kenë punën që duan, të dinë “të ardhmen e tyre me x person dhe të bëj diçka që tu ecë mbarë me atë person”.

Janë vajza që nuk kanë një stabilitet ekonomik, janë të pasigurta dhe kanë nevojë për një ‘shtysë’ nga dikush që thotë “shko se të gjitha do të zgjidhen”.

Sidorela 25 vjeç është njëra prej tyre. Ajo tregon për gazetasi.al se ka shkuar disa herë tek disa fallxhore të ndryshme.

“Ishte një periudhë e keqe në jetën time dhe shoqja ime më tha se mund të gjeja përgjigje të pyetjeve që kisha në kokë tek një fallxhore. Shkoja para disa vitesh tek njëra që njihja në Gramsh dhe shpesh më dilnin të gjitha ato që më thoshte ajo. Më gjeti se si ishin marrëdhëniet e mia me ish të dashurin dhe më tregoi se nuk duhej të mbaja shpresa në atë lidhje sepse nuk do të funksiononte dhe kështu ndodhi”, tregon Sidorela e cila pastaj shkoi në një fallxhore në Kombinat sepse e kishte të pamundur të shkonte shpesh herë  në Gramsh. Në Kombinat shkon dhe “gati 80% e atyre që më ka thënë kanë qenë të vërteta dhe më shoqërojnë gjithë kohës”.

Kështu ajo ka vendosur të jetë një kliente e rregullt e fallxhores në Kombinat.

Pasi përfundon “takimi”, është dëshira e vetë vajzave dhe grave të lënë para me pretekstin “merri se i ke hak”.

Tirja tregon se më parë kërkonte para, ndoshta dhe vetëm 200 lekë të reja sepse me atë ‘punë” merrej por për një kohë të shkurtër nuk ka pasur më nevojë të përmendë para dhe tani janë të rralla klientët që i lënë 1000 lekë.

“Më kanë lënë 100€ apo dhe më shumë”, tregon Tirja e cila shton duke thënë se nuk i kërkon paratë por as nuk thotë jo.

Leo P., një djalë 28-vjeçar piktor tregon për Gazetasi.al se ka shkuar tek fallxhorja deri në momentin që ajo i ka kërkuar 300€ për të vijuar më tej me problemin që ai kishte.

“Po ndahesha nga e fejuara dhe mami më tha se ka një fallxhore shumë të mirë që mund të më ndihmojë me këtë problem. Shkova dhe në fillim më kërkoi 5000 lekë. Ja dhashë dhe më tregoi se cfarë mund të bëja që të shpëtoja fejesën time. Me idenë time ato që ajo më tregoi funksionuan dhe kur shkova herën e dytë më tha se tani duhej ti jepja 300€ për të vazhduar më tej”, tregon ai i cili nuk i kishte aq shumë me vete dhe do të kthehej përsëri nëse nuk do të ishte bindur nga shoku i tij se nuk mund të harxhojë aq shumë para për të “ndërhyrë në të ardhmen”.

Një tjetër fallxhore, Bedria që tani është 67 vjeçe nuk sheh filxhan. Ajo hedh ujë gurësh dhe kjo ka qenë puna e saj gjatë gjithë jetës.

Bedria thotë për Gazetasi.al se vajzat dhe gratë që shkojnë tek ajo i japin para më të shumtën e herëve me raste kur mund të japin bizhuteri, ushqime apo dhe dhurata të shtrenjta.

“Unë punoj me para por nuk refuzoj asgjë që ka një vlerë të caktuar. Kur janë kliente të varfra (në raste shumë të rralla) ju them që mund të japin diçka që kanë mundësi”.

Vjollca, një 54-vjeçare me profesion mësuese tregon për gazetasi.al se njëherë i ka trokitur në derë një grua rreth 40 vjeçe që i është prezantuar si fallxhore dhe disa fjalë bindëse kanë bërë që ajo të ‘dhurojë’ bizhuteritë e saj floriri.

“Erdhi dhe më tha se shikon një të ardhme të ndritshme për familjen time”, tregon ajo e cila e besoi fjalën e fallxhores që as nuk i dinte emrin dhe nuk e kishte parë kurrë nëpër fshatin e saj jo shumë larg Tiranës.

“Shoh pasuri” tha fallxhorja dhe për ta bërë atë të shkonte sa më shpejt në shtëpinë e Vjollcës duhej një veprim i thjeshtë. Vjollca duhej të fuste në një copë varësen dhe dy unazat e saj floriri dhe pasi fallxhorja tu kishte “kënduar”, ajo mund ta fuste copën poshtë jastëkut e ta linte aty gjithë natën. (floriri simbolizonte pasurinë dhe mbledhja e tyre në një copë poshtë jastëkut ishte për të pasur sa më shumë pasuri dhe për ta mbajtur atë pasuri, sipas asaj që fallxhorja i ka shpjeguar zonjës).

Të nesërmen aksesorët nuk ishin aty sepse nuk kishin qenë që në fillim aty.

“Nuk e kuptoj në çfarë momenti i mori të gjitha. Di vetëm se më mbushi mendjen, humba aksesorët dhe as nuk bëra dot denoncim sepse më vinte turp”.

Ndoshta një nga debatet më të mëdha është dhe fakti nëse duhet të besohen fallxhoret apo jo. Derisa pro-të dhe kundër të vendosin, fallxhoret do të jenë moda që nuk vdesë kurrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë