Financa Personale

Më shumë shqiptarë vonuan pagesat e kredive gjatë muajit maj. Niveli më i lartë në një vit

Nga Gazeta ‘SI’ - Normat e larta të interesit dhe kostot e rritura të jetesës kanë ulur aftësinë paguese të shqiptarëve.

Kjo reflektohet në shifrat e Bankës së Shqipërisë mbi stokun e kredive të këqija. Në maj, ky stok raportohet 5.23% ndaj totalit të kredive, duke arritur kështu në normën më të lartë në një vit.

Shtimi i kredive me probleme tregon se aftësia paguese e individëve shqiptarë dhe bizneseve është përkeqësuar, duke ndikuar kështu në vonesat e shlyerjes së huave dhe në prishjen e cilësisë së kredisë.

Kjo tendencë nisi që në fillim të vitit 2023, por dy muajt e fundit duket më e intensifikuar.

Gjithsesi kjo ishte e parashikuar që vitin e shkuar nga BSH, si efekt i rritjes së normës së interesit dhe shtrenjtimit të kredive për konsumatorët dhe biznesin shqiptar.

BSH parashikonte që 70% e kredive do të preken nga rritja e normës, sepse ishin me normë të ndryshueshme.

Gjatë vitit 2022, ky tregues pati rënie, por bankat tregtare i paguan Bankës qendrore 4 mld lekë provigjione, detyrim që i krijohet atyre me rritjen e kredive problematike. Norma e rikuperimit të kredive me probleme nga ana e bankave ra në 12%, nga 15% në 2021-shin. Kjo ecuri tregon një rritje të vështirësisë së bankave për të rikuperuar kreditë me probleme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë