Shendet

Më shumë se 1000 vdekje në ditë, Moska vendoset në izolim për një javë

Autoritetet e Moskës kanë njoftuar mbyllje njëjavore të shumicës së shërbimeve jo thelbësore nga 28 tetori, pasi Rusia regjistroi numrin më të lartë ditor të vdekjeve dhe infektimeve nga COVID19 që nga fillimi i pandemisë.

“Situata në Moskë vazhdon të zhvillohet në skenarin më të keq… Në ditët në vijim, ne do të arrijmë kulmin historik në betejën me koronavirusin”, tha kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, në një deklaratë të enjten duke shpjeguar vendimin e tij për të futur popullatën në izolim

Sipas masave të reja, të gjitha dyqanet, shkollat ​​dhe palestrat do të mbyllen. Restorantet dhe kafenetë do të shërbejnë për delivery, ndërsa teatrot dhe muzetë do të kërkojnë dëshmi të vaksinimit ose shërimit të Covid-19.

Një ditë më parë, presidenti rus, Vladimir Putin, njoftoi një pushim njëjavor për punonjësit duke filluar nga 30 tetori për të ndaluar përhapjen e infeksioneve.

Rusia ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve dhe infeksioneve nga Covid gjatë tre javëve të fundit, me vetëm një të tretën e vendit të vaksinuar plotësisht.

Aktualisht Rusia po raporton më shumë se 1.000 vdekje ditore, e dyta më e larta në botë pas SHBA. Llogaritjet e bazuara në të dhënat e vdekshmërisë tregojnë se numri i vdekjeve nga  fillimi i pandemisë e deri në gusht të këtij viti është gati 660,000.

Të enjten një shkencëtar rus paralajmëroi se infektimet në Rusi mund të rriten më tej pasi u zbuluan disa raste të variantit të ri të Delta-s.

Për këtë variant të ri, zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar thanë se po e monitoronin nga afër pasi shkencëtarët besojnë se mund të jetë më i transmetueshëm.

Masat e prezantuara nga Sobyanin janë më të rreptat të ndërmarra në Moskë që nga pranvera e vitit të kaluar.

Kremlini ka shmangur vazhdimisht shtyrjen e kufizimeve.

Një sondazh i publikuar të mërkurën tha se shumica e pronarëve të bizneseve ruse ishin kundër kufizimeve të reja, për arsye ekonomike.

Pavarësisht vaksinave të disponueshme gjerësisht, rusët mbeten mosbesues ndaj dozave të prodhuara në vend dhe sondazhet treguan se shumica e atyre që nuk kanë marrë ende një vaksinë nuk po planifikonin ta bënin një gjë të tillë. Për të inkurajuar marrjen e vaksinave, autoritetet e Moskës këtë javë ndaluan të moshuarit e pavaksinuar që të largohen nga shtëpia deri në shkurt, ndërsa shumica e rajoneve ruse kanë futur vaksinimin me detyrim

Kritikët kanë fajësuar fushatën e dështuar të vaksinimit nga Kremlini në një kohë kur hezitimi për vaksinat ka qenë gjithashtu i përhapur në vendet fqinje, me Ukrainën, Bjellorusinë dhe kombet e tjera të Evropës Lindore që po përjetojnë rritje të reja të infektimeve.

Përshtati në shqip Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë