Njerez

Më shumë lëmoshë në xhepa: Ky ishte muaj i mbarë edhe për Almën, Hyjrien, Anin e Enin

Me një fëmijë të vogël që i qëndronte pranë, ashtu si lypësit e tjerë gjatë këtyre ditëve, ajo zgjat dorën drejt një makine duke kërkuar lëmoshë me shpresën se sot, gjatë festës së Bajramit dikush do ta ndihmojë. Për Almën kjo ditë kur besimtarët myslimanë duhet të solidarizohen me më të varfërit, nënkupton më shumë qindarka në xhep...

Në fakt, i gjithë Muaji i Ramazanit është sinonim i ditëve më të lumtura për lypësit, me njerëzit që priren t’i ndihmojnë herë me ushqime e herë me të holla. Në të gjithë kryeqytetin por sidomos jashtë dyerve të xhamive sot sheh dhjetëra lypës “në punë”.

Ca i sheh teksa marrin veshmbathje që qytetarët i kanë lënë tek-tuk e ca të tjerë i sheh tek urojnë me zë të lartë besimtarët që i ndihmojnë e buzagaz u qeshin atyre  drejt e në fytyrë.

Kur bisedon me shumë prej tyre, kupton se ky muaj ka sjellë tek ta më shumë ushqim, më shumë qindarka e ndihma të dhëna edhe nga kalimtarë të rastit. Ashtu si Alma, shumica prej tyre mëngjesin e kanë nisur gjithnjë  pranë dyerve të xhamive duke kërkuar lëmoshë tashmë me një togfjalësh të ri të shtuar në lutjet e tyre. “Më ndihmo të bekoftë Zoti në këtë muaj Ramazani”.

Alma qëndron pranë Xhamisë së Tabakëve në Rrugën e Elbasanit. Është rreth të tridhjetave dhe lyp sëbashku me tre fëmijë. E ulur përmbi një karton të dalë boje ajo zgjat duart drejt kalimtarëve.

“Kam tre fëmijë por bashkëshorti më ka lënë para disa muajsh. Të tre i kam të vegjël dhe me rroba të grisura”, thotë ajo teksa kap nga mënga e bluzës njërin nga fëmijët, si për të dashur të përforcojë me fakte atë që po thotë.

Ramazani duket se nxit dhe një “luftë territori” mes tyre, ku të gjithë synojnë të jenë sa më pranë xhamive aty ku - sipas tyre - është numri më i madh i besimtarëve.

“U bënë disa muaj që lëviz në zona të ndryshme të Tiranës por këtë muaj kam ndenjur këtu afër xhamisë. Kam ardhur që në 5 të mëngjesit sepse pastaj ta zënë të tjerët”, thotë Alma, teksa ngrihet të shkojë sërish brenda xhamisë me shpresën se mbase do të gjejë këtë herë ndonjë bluzë jo të grisur për vajzën e saj.

Pak më lart, në trotuar pranë Xhamisë së Namazgjasë, qëndron edhe Hajria. Edhe për të Muaji i Ramazanit ka qenë i mbarë.

“Hajrie më thonë po emrin e vërtetë nuk e di. Këtë muaj më kanë ndihmuar shumë njerëz çdo ditë... ja, siç po më ndihmon tani ky çuni”, thotë ajo teksa po merr disa ushqime nga një djalë që ka ndaluar makinën enkas aty për të. “Por tani që mbaron Bajrami nuk na ndihmojnë më aq shumë”, shprehet ajo.

Hyjria

“Më kanë dhënë ushqime, veshje të ndryshme, shumë fruta, por jo para”, shton Hajria.

Besimtarët myslimanë e kanë obligim që përgjithësisht të varfërit t’i ndihmojnë më shumë me ushqime në mënyrë që ata të ngopen ose me para vetëm kur janë të bindur që ato do të shkojnë në dorën e duhur të atij që është nevojtar.

Por ndryshe nga disa lypës që kanë zgjedhur të ulen anash rrugëve, ka të tjerë që rutinën e tyre e kanë të enden nëpër kosha mbeturinash në kërkim të ushqimit.

Ashtu si në ditë të tjera festive, kazanët janë më të mbushur se zakonisht. Asortimenti më i shumtë në sasi, janë frutat.

Pranë dy koshave mbeturinash në afërsi të qendrës, dy djem në moshë adoleshence, i gjejmë teksa rrëmojnë me kokë përmbys dhe duke folur me njëri-tjetrin...

“Na ka mësuar babi të kërkojmë këtu për festa. Shiko sa shumë fruta gjetëm”, thonë të dy thuajse njëzëri.  Quhen Ani dhe Eni; në pamje të parë duken binjakë. Sytë gati u shkëlqejnë nga lumturia teksa mbajnë në duar një qese me fruta gjysmë të kalbura.

Ashtu si për këta dy djem, kjo panoramë me ngjyra, me më shumë bollëk, përfundon sot! Me mbarimin e festës së Bajramit dhe të gjithë Muajit të Ramazanit, jeta edhe për ta fillon të ecë me ritmin e mëparshëm. Dyqanet do të rihapen, xhamitë nuk do të jenë më aq të mbushura dhe njerëzit do të fillojnë që nesër të ecin me nge nëpër rrugët e Tiranës. Ndërsa për lypësit, të pakta janë gjërat që do të mbeten po njësoj me ikjen e ditëve festive.

Ata do të jenë sërish në kërkim të ushqimit duke vijuar mbase  të “luftojnë për të gjetur territorin më të mirë...”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë