Lajme

Më shumë investime në periferi të Tiranës

Kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë turit të llogaridhënies në Bërzhitë tha se do të ketë më shumë investime në periferi të Tiranës.

Veliaj theksoi se gjatë kësaj kohe është rikthyer vëmendja te zonat rurale, ndërsa vlerësoi reformën administrative-territoriale të qeverisë, e cila sipas tij, ka rritur mundësitë e investimeve në fshatra.

“Ideja e Kryeministrit për reformën territoriale, për ta zgjeruar Tiranën, ishte një nga idetë më të mira sepse për të bërë një shkollë në fshatin Mihajas me taksat e 400 banorëve, do të duheshin 82 vjet. Reforma i dha mundësi bashkisë të vjelë taksa në zona urbane dhe të investojë edhe në zonat rurale. Kësisoj, të bëjë në një kohë më të shkurtër, disa gjëra që nuk do ishin bërë për 80 vjet”, u shpreh ai.

Ai nënvizoi se me përfundimin e një sërë investimesh të mëdha, tashmë radhën e kanë zonat periferike.

“Në këto tre vite mbaruam punët e mëdha që nuk ishin bërë prej vitesh. Kishte mbetur sheshi, kishte ngecur pazari, kishte ngecur bulevardi, kishin ngecur shumë shkolla në Tiranë. Tiranën e kemi gjetur me shkolla me dy turne dhe një pjesë të madhe të shkollave e kemi shpëtuar nga dy turnet. Pra, për të gjitha këto arsye, them se jemi në një situatë kur ka ardhur radha e fshatit”, tha kryebashkiaku.

Veliaj u ndal edhe në çështjen e investimeve për furnizimin me ujë të popullsisë, ku siguroi banorët se bashkia po ndërhyn në mjaft zona për të përmirësuar infrastrukturën. Ai theksoi se me rritjen e arkëtimeve si pasojë e mirëmenaxhimit të financave, bashkia ka më shumë mundësi që të investojë dhe të ndërhyjë atje ku nuk ishte vënë dorë prej vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë