Kombetarja

Më shumë forca sulmuese e më shumë fantazi në Andorra

Ndeshja me Andorrën mund të jetë një ngushëllim për kuqezinjtë dhe për fat të mirë vjen vetëm pak ditë pas disfatës me Turqinë në stadiumin “Loro Boriçi”. Ervin Bulku dhe Sulejman Mema, të cilët do të drejtojnë Kombëtaren në këtë ndeshje, kanë një mundësi shumë të mirë për të regjistruar emrin në histori si trajnerë fitues në krye të Kombëtares.

Para se të nisnin ndeshjet kualifikuese, kjo ndeshje konsiderohej formale, me 3 pikë të sigurta, pasi diferenca me kundërshtarin është e madhe, por tronditja që na dha Turqia mund të lërë pasoja. Stafi i përkohshëm i kuqezinjve me siguri do të bëjë lëvizje në formacion, sepse fitorja është e domosdoshme. Është e sigurt që në fushë do të zbresë një Shqipëri më sulmuese dhe me më shumë fantazi, që të jetë sa më pranë portës kundërshtare dhe të ketë forcë goditëse.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë ndaj Andorrës

Trajneri Ervin Bulku ka pasur disa dilema një ditë para ndeshjes. Në mbrojtje, nuk ka pse të kemi tre lojtarë qendre, siç ndodhi me Turqinë, ku veç Berat Gjimshitit dhe Ardian Ismajlit, në të majtë luajti Frederik Veseli. Gjasat janë që Bulku t’i besojë përvojës së Arlind Ajetit në qendër dhe në stol të ulet Gjimshiti, i cili gaboi në rastin e golit të parë ndaj Turqisë. Vendin e Veselit në të majtë pritet ta marrë një lojtar tipik krahu, Naser Aliji, që shtyn më shumë përpara dhe ndihmon shumë në fazën sulmuese.

Në mesfushë do të ketë më shumë fantazi dhe pritet që një fanellë titullari ta ketë Ergys Kaçe. Mesfushori i Panathinajkosit dallohet për pasin e gjatë, por edhe për goditjet nga distanca, kështu që mund t’i japë diçka më shumë skuadrës në këtë ndeshje. Talant Xhaka dhe njëri mes Amir Abrashit dhe Ledian Memushajt pritet të jenë dy mesfushorët e tjerë ndaj Andorras. Vlonjati është më i vlefshëm në lojën sulmuese dhe mund të jetë ai nga minuta e parë. Por edhe Migjen Basha është një alternativë, pasi është i freskët, ngaqë nuk luajti ndaj Turqisë.

Ervin Bulku dhe Sulejman Mema do të drejtojnë Shqipërinë ndaj Andorrës

Myrto Uzuni, një nga lojtarët më në formë të Kombëtares në këtë moment, mendohet të jetë titullar në të djathtë të sulmit, ndërsa në të majtë pritet aktivizimi i Eros Grezdës, një lojtar që krijon hapësira me depërtimet e tij dhe që krijon pështjellim në mbrojtjen kundërshtare. Në majë të sulmit ka pasur një balotazh mes Armando Sadikut dhe Bekim Balajt, ashtu si në ndeshjen e parë, por këtë radhë më shumë shanse ka elbasanasi. Në stol nuk mungojnë alternativat dhe në varësi të rezultatit, mund të ketë minuta edhe për të rinjtë Kristal Abazaj dhe Kristi Qose.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë