Lajme

Oferta e pakërkuar: Sa kushton Orikum-Dukat në 13 vjet

Pavarësisht këmbënguljes së institucioneve ndërkombëtare që Qeveria Shqiptare të heqë dorë nga PPP-të me ofertë të pakërkuar, Ministria e infrastrukturës ka shpallur fituesin për aksin nga Porti i Jahteve në Orikum deri tek Ura e Shën Elizës në Dukat me koncesion me ofertë të pakërkuar.

Tenderi është fituar nga ofertuesi i pakërkuar, kompania Gjikuria.
Rruga është e gjatë 15 kilometra, kostoja e ndërtimit të së cilës do të jetë 50,5 milionë euro, 3,36 milionë euro për një kilometër.Qeveria ka vendosur që kjo rrugë do ndërtohet brenda paketës “1 mld euro”, në të cilën përfshihen edhe vepra të tjera.

Në shumën prej 50, 5 mln eurosh do të përfshihet edhe mirëmbajtja e rrugës.

Ndërkaq, qeveria do t’i paguajë koncesionarit privat edhe interesat për 13 vjet.

Sipas listës së paraqitur në projektbuxhetin e vitit 2019, fatura në total për këtë rrugë llogaritet të shkojë në 74 mln euro.

Rruga do të jetë e kategorisë C2, që do të thotë një rrugë fshati. Megjithatë sipas Ministrisë së Infrastrukturës shpejtësia e lëvizjes në të është projektuar mes 60-80 kilometra në orë.

Kosto e ndërtimit prej rreth 3.36 milionë euro për kilometër është shumë herë më e lartë se praktikat e mëparshme në Shqipëri, për të ndërtuar një rrugë të C2.
Për tre vitet e para, kompania Gjikuria do të shpenzojë 25% nga fondet e saj për ndërtimin e rrugës dhe më pas fillon shlyerja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë