Financa Personale

Më mirë ta mbyllim biznesin tani apo të presim ndihmë?

Nga Meri Lika*- Kjo është pyetja që më bëhet shpesh, këto ditë, nga klientët e mi. Në kushtet e mia mendoj se janë edhe kolegët e tjerë, kur është koha që klientët i pyesin në duhet ta mbyllin biznesin e tyre. Në krye të atyre që pyesin, jane restorantet, baret dhe hotelet por edhe qendrat e kurseve për fëmijë, palestrat etj. Ka edhe sektorë të tjerë por të gjithë kanë të përbashkët zvarritjen e kohëve të këqija, që nga momenti kur Covid-19 na trokiti në dyer.

Por jo vetëm këto biznese kanë këtë dilemë, në po këtë rreth kanë hyrë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Çelësi do të jetë muaji qershor. Në qershor do të duket nëse ka fleksibilitet që bizneset më të goditura t’i rikthehen punës. Kohët po shkurtohen. Tani po diskutohet ekzistenca.

Shumë biznese preferojnë të mos marrin kredi dhe po vlerësojnë mbylljen e aktivitetit.

Deri tani, NVM-të (Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme) kanë pasur në diskutim pagesën e pagave. Ata kanë ecur me parimit “Të sigurojë punonjësit sepse do të më duhen sërish”. Duhet marrë kredi kur ka kriza, por ka edhe limite shumë të qarta. Ky limit ka arritur. Restorantet kanë funksionuar delivery por me këto të ardhura kanë mbuluar një pjesë shumë të vogël të kostove fikse, ata me më shumë fat mund të kenë mbuluar 10% të shpenzimeve. Por baret, qendrat e kurseve, palestrat, dyqanet npër qendrat tregtare nuk e kanë pasur as këtë mundësi. 

Shumë prej bizneseve me aq sa mundën paguan pagat e muajit mars, pjesa tjetër pritën me duart nga shteti, por braktisja nga ana e këtij të fundit rezultoi katastrofike për ta. Në kushtet kur duhet të futen në normalitetin e shumë pritur NVM-të janë në dilemën a duhet ta mbyllin biznesin apo të presin shansin e tyre të fundit, ndihmën që do të jap qeveria?!

Dilema mes mbylljes dhe kredisë.

Bizneseve kanë hapur llogaritë në tavolinat e zyrave tona. Ekuacioni është i njëjtë për të gjithë. Në kushte normale, me të ardhurat e javës së parë paguajnë blerjen e mallit, me të ardhurat e javë së dytë paguajnë stafin, me javën e tretë paguajnë kostot fikse (qera, taksa dhe shërbime) dhe java e katërt e muajit mbetet si fitim neto, në përgjithësi 20 deri 23 për qind.

Këto janë të dhënat për një biznes që shet produkt ose mall, ai mund ta filloj aktivitetin me një kredi e cila mund t’i mbulojë pagesat e tre javëve të para derisa të ketë mundësi të arkëtojë nga klientët e tij. Por p.sh. një shoqëri në fushën e marketingut apo dhe një palestër a qendër kursesh e kanë dinamikën akoma më të komplikuar. Këto lloj biznesesh nuk kanë asgjë të sigurt se duke marrë një kredi bankare (qoftë kjo edhe sovrane) do të kenë mundësi ta shlyejnë, sepse ata nuk e kanë të sigurt vazhdimësinë.

Kur klientët tanë në krizë na kërkojnë mendim, ne fillojmë të hartojmë skenarë të ndryshëm për të marrë vendimin më të mirë të mundshëm: një skenar optimist (dalje e shpejtë nga karantina); skenar i moderuar (dalja nga karantina në qershor) dhe skenari pesimist (shtyrja e izolimit përtej muajit të ardhshëm), të gjithë këta skenarë varen nga vendimet e qeverisë e cila nuk është se ka ecur me masat paralelisht me ecurinë e pandemisë.

Ajo që ne bëjmë është; përpiqemi t'i përgjigjemi qëndrueshmërisë së kompanisë gjatë vitit të ardhshëm. Është shumë e rëndësishme nëse kompania e ka pasur një borxh të mëparshëm. Qoftë ky furnitorët, bankat apo dhe me shtetin.

Edhe bankat bëjnë një analizë shumë të thellë të situatës. Për to është shqetësues prirja e ulët i NVM-ve tregtare dhe industriale për të marrë hua me një normë interesi të subvencionuar. Shumë prej biznesve e refuzojnë kredinë, flasim për kredinë sovrane. Kanë frikë. Bizneset i ka mundur frika dhe në fakt kanë të drejtë.

Konsulencat e biznesve me studiot tona nuk kanë të gjitha të njëjtin përfundim: “Mos merr kredi”. Jo. Ato shoqëri të cilat mund të arrijnë të sigurojnë vazhdimësinë, këshillohen të marrin kredi dhe ato që nuk arrijnë të sigurojnë vazhdimësinë, këshillohen të mos e marrin kredinë. Por analiza thellohet akoma më shumë për ato biznese që kanë qenë në borxhe përpara kësaj situate. Këto biznese këshillimin tonë e kanë: “Në mënyrë kategorike, Jo kredi”.

Por problemi gjatë këshillimit tonë qëndron se në dorë për momentin kemi vetëm mundësinë e paketsë së parë për kredinë sovrane, pra vetëm për pagesë pagash dhe sigurimesh shoqërore, kurse paketa e dytë e cila për momentin do të mund t’iu shërbejë biznesve për kapital qarkullues, ende pas një muaji nuk ka asnjë shenjë jete.

Ashpërsia e krizës detyron bizneset që të marrin vendime urgjente. Por këto vendime nuk janë të mjaftueshme për të siguruar qëndrueshmërinë e NVM-ve.

Qeveria me publikimin e paketës 2 njoftoi se do ketë dhe një paketë 3 që do të jetë për rimëkëmbjen, por ndërkohë që nga paketa e dytë qeveria po ekzekuton vetëm lëmoshën, a duhet të pres biznesi paketën 3??? Ndihma qeveritare nuk po vjen, por mesa duket edhe nëse vjen do të jetë shumë vonë, ashtu si edhe amnistia.

Unë mendoj se qeveria nuk ka ende një axhendë për të ndihmuar biznesin. Qëndrimi efikas i shtetit ka vdekur ( nuk është se kam pritur ndonjë reagim tjetër).

Dilema e biznesit ngelet: Të mbyllet apo të presë ndihmë nga shteti kjo është çështja!

*Meri Lika është Audit Ligjor


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë