Gentian Gjoka, presidenti i skuadrës së futbollit të Turbinës, është arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi është kapur me armë pa leje. Tani presidenti i skuadrës cërrikase rrezikon nga 7 deri në 15 vjet burg, për akuzën e armëmbajtjes pa leje.
Sipas Policisë së Tiranës, Gjoka ishte shpallur në kërkim nga Policia e Vlorës për akuzën e mashtrimit. Ai banon në Tiranë dhe Policia, pas informacioneve të marra se Gjoka qarkullonte me armë zjarri, ishte vënë në ndjekje. Arrestimi i Gjokës është bërë në rrugën “Medar Shtylla” në Tiranë. Në banesën e presidentit të Turbinës policia ka gjetur një armë zjarri të tipit pistoletë dhe një krehër me fishekë. Nuk është hera e parë që drejtues të skuadrave të futbollit përfundojnë në pranga. Ka ndodhur shpesh më parë që drejtues të sportit në vendin tonë të kenë probleme me drejtësinë dhe Gjoka është rasti i fundit.
“Kapet një person i shpallur në kërkim, i cili mbante armë zjarri me vete. Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë, me një karikator me fishekë luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe të atyre që qarkullojnë me armë zjarri, kanë shtuar kontrollet në gjithë territorin që kanë në juridiksion. Bazuar në informacionet e marra nga qytetarët se një person në kërkim qarkullonte me armë zjarri, nga shërbimet e Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë është organizuar dhe finalizuar operacioni “Lokalizimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim: G. Gj., 45 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.