Politike

Me 4 mars inaugurohet, pamjet e para të bazës ushtarake të NATO-s në Kuçovë

Shqipëria po bëhet gati të inaugurojë bazën e parë të NATO-s në vendin tonë më 4 mars.

Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet e Aeroportit Ushtarak të Kuçovës.

“Mirëmëngjes dhe nga Baza Ajrore Taktike e NATO-s që hapet së shpejti në Kuçovë, e cila do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama.

Më herët, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo shpjegoi transformimin e aeroportit të Kuçovës në një bazë ajrore të NATO-s.

“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, do të shprehej Komandanti i Forcës Ajrore, i cili ndër të tjera ka sqaruar edhe funksionet që do të kryhen nga kjo bazë. “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e  Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s” tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë