Arsim

Mbyllja e shkollave – Po mësuesit pse duhet të ishin pushim?

Në portën e gjimnazit “Sinan Tafaj” sot mund të shikoje vetëm rojën e shkollës. Stoik si gjithnjë pas portës kryesore për të ditën nuk ndryshojnë. Në oborr asnjë zhurmë. Edhe dera kryesore e mbyllur. Të gjitha dritaret gjithashtu. Heshtje. Mësuesit sot janë pushim bashkë me nxënësit

Me bindjen se do të gjenim të paktën mësuesin e gjeografisë që e di se çfarë tërmetet apo psikologun e shkollës për ndonjë pyetje apo frikë që mund të kenë nxënësit, apo dhe ndonjë nga drejtuesit, roja ne preu shkurt dhe ftohtë "është urdhri i Ministrisë është që dita e hënë të jetë pushim, për fëmijët dhe administratën. Ai, ashtu si edhe rojet e tjera të të gjitha shkollave në Tiranë, Durrës dhe Elbasan, ishte ndër të vetmit që i kishin “rezistuar frikës ndaj tërmeteve”.

Ndoshta edhe për shkak të mjedisit të mbushur me fake news nga portale jo profesionale  dhe kakofonia e  lajme të prodhuar nga administrata, menduam se institucionet e dijes duhet të ishin hapur duke iu dorëzuar fatit intuitës popullore.

Një ditë më parë Ministrja e Arsimit Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, deklaroi se "duke marrë parasysh situatën ku vendi ynë ndodhej për shkak të tërmetit. Pushim do të ishin edhe prindërit që punonin në administrat"ë. Ministrja foli për situatë kritike emocionale të fëmijëve. Por a ishte mbyllja e shkollave vendimi i duhur? A e nxit edhe më shumë ndjenjën e panikut dhe traumën që përjetuan fëmijët këtë fundjavë?

Psikologja Arjana Muça i tha Gazetës “Si” se mbyllja e shkollave është një e mirë psikologjike për fëmijët pas stresit post-traumatik që përjetuan.
“Jam e mendimit që edhe dita e martë të ishte pushim pasi truri i fëmijës e ka më se të nevojshëm kalimin e traumës mes familjarëve, pasi u jep atyre më shumë siguri dhe kapërcimin sa më lehtë të këtij stresi, i cili në pjesën më të madhe do të kërkojë një periudhë kohore në kujtesën afatshkurtër të fëmijës të zërë vend në plan të dytë”, shprehet ajo.

Psikologia Arjana Muça

Ndërsa për sociologun Endrit Mërtiri mbyllja e shkollave ka qenë diçka krejt pa kuptim. Ai shpjegoi për Gazetën “Si” se ka një zell të qeverisë për t’u angazhuar në veprime pa asnjë vlerë, thjesht për të bërë diçka në mënyrë që të duket se qeveria është në punë.
“Në gjykimin tim, mbyllja e shkollave ka ndikuar në panikun e krijuar mbrëmë, i përforcuar edhe nga lajmet e rreme të disa mediave, duke bërë që shumë qytetarë të mblidhen nëpër sheshe,” i tha Mërtiri Gazetës “Si”.
Prej dy ditësh, qytetarët kanë përjetuar orë të vështira pas tërmetit të magnitudës 5.8 të shkallës rihter dhe qindra të tjerëve më të vegjël që pasuas. Nga kjo ngjarje u lënduan të paktë 108 persona dhe u dëmtuan rreth 688 objekte publike dhe private.
Mërtiri na shpjegon se në momentin që shteti ngre çadra, mbyll shkollat, qytetarët mendojnë se diçka do të ndodhë. Ai shprehet se këto janë veprime të papërgjegjshme që tregojnë se Ministria e Arsimit vepron thjesht për efekt mediatik.

Sociologu Ergys Mërtiri

“E tillë ishte edhe deklarata absurde e ministres se, nuk ka asnjë të lënduar nga nxënësit e shkollave dhe punonjësit në arsim. Ç’kuptim ka kjo? Është meritë e ministrisë pse nxënësit nuk u lënduan nga tërmeti, në një ditë pushimi ku shkollat ishin të mbyllura? Ndërsa shteti ankohet për fakenews-et e mediave, kemi një qeverisje fake, që prodhon lajme kot, nga hiçi, me asnjë efekt real, përveç problemeve anësore që shkakton tek njerëzit.
Në një dalje publike sot, ministrja Shahini u shpreh se të martën shkollat rihapen dhe të gjithë nxënësit kthehen në mësim. Për sa i përket ditës së sotme, ajo shpjegoi se do të zëvendësohet. Por a nuk do të ishte mirë që dita e sotme të mos ishte e humbur dhe nëpër shkollat tona të kishim një staf pedagogjik të trajnuar për menaxhimin e situatave të tilla (edhe post-traumatike)?

Ministja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini

Ngjarja e fundit e tërmetit ndodhi në fundjavë, kur shkollat ishin pushim. Po nëse do të ndodhte kjo ngjarje në një ditë të zakonshme, si do të menaxhohej situata nga stafi pedagogjik?
Ne pyetëm Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë për faktin “A duhet të ishin sot mësuesit e trajnuar nëpër shkolla?”, por nuk morëm një përgjigje!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë