Lajme

Mbyllja e basteve sportive, Rama publikon foton e “Lamtumirës”

Kryeministri Rama ka publikuar një foto në rrjetet sociale, ku shfaqet një tabelë e basteve sportive. “Lamtumirë”, shkruan kreu i qeverisë sipër fotografisë që simbolizon mbylljen e këtyre aktiviteteve.

Sipas ligjit, këto pika duhet të mbyllen deri në datën 1 janar të vitit 2019. Prej disa javësh pronarët e këtyre bizneseve kanë ulur qepenat, ose i kanë lëshuar godinat me qera. Kjo nismë ka kaluar me jo pak debat, edhe politik.

Ndërkohë, kazinotë elektronike ende nuk i kanë ulur qepenat. Duke qenë në menaxhim të kontrolluar drejtpërdrejt prej kompanive dhe në numër shumë herë më të reduktuar sesa pikat e basteve, likuidimi i tyre është më lehtë për t’u administruar.

Sipas ligjit të miratuar nga mazhoranca, prej 1 janarit të vitit 2019, organizimi, zhvillimi dhe ndërmjetësimi i lojërave të fatit, basteve sportive dhe lotarisë është përgjegjësi e shtetit.

Janë rreth 4200 pika bastesh që pritet të mbyllen në të gjithë vendin, ndërkohë që në to janë të punësuar afro 7400 persona. Sipas ministrit të Financave, efektet financiare janë të pallogaritshme në krahasim me plagën sociale që ka shkaktuar kjo industri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë