Lajme

Mbyllja e basteve, reagojnë kompanitë: Do të përfshihet krimi

Mbyllja e pikave të basteve është çështja kryesore e ditëve të fundit, për të cilën flasin të gjithë, që nga kryeministri deri te qytetari më i thjeshtë. Kreu i qeverisë, Edi Rama në të gjitha daljet e tij për mediet dhe deklaratat në rrjetet sociale është shprehur i vendosur për mbylljen e këtij aktiviteti në vendin tonë. Fillimisht u aludua për mbylljen vetëm pikëve të basteve dhe kalimin e tyre online, por tashmë më shumë po shkohet drejt mbylljes totale të këtij lloj aktiviteti në vendin tonë.

Për këtë çështje ka ardhur reagimi nga ana e shoqatës së basteve sportive. Në një deklaratë të shpërndarë për mediet shoqata mbron idenë se mbyllja e këtyre bizneseve nuk është zgjidhja e problemit, por e kundërta do të hap plagë akoma dhe më të mëdha sociale.

“Ajo ç’ka duam ne që t’i bëhet e ditur publikut të gjerë është fakti që nxjerrja e tyre jashtë ligjit, nuk do të thotë se ato do të pushojnë së ekzistuari. Duhet të jemi të qartë që bastet edhe pas daljes jashtë ligjit do të vazhdojnë të ekzistojnë, ashtu siç kanë ekzistuar dhe më parë kur kanë qenë të jashtëligjshme. Ajo që nxjerrja jashtë ligjit do të bëjë është kalimi i kësaj industrie nga bota e ligjit dhe rregullimit ligjor që është sot, në botën e nëndheshme të krimit , e cila do të vijë me pasoja jo të vogla për shoqërinë shqiptare. Organizimi i tyre jashtë kuadrit ligjor, do të rrisë kriminalitetin, do të forcojë krimin e organizuar si edhe do të mundësojë eksodin jashtë vendit të valutës.”- citohet në deklaratë.

Në deklaratën e shpërndarë, Shoqata e Basteve Sportive rendit pasojat ekonomike dhe sociale do të pësojë vendi nëse ky biznes mbyllet totalisht.

“Në momentin kur industria e basteve do t’i kalojë botës së nëndheshme të paligjshmërisë, dhjetë mijë njerëz do të humbasin vendin e tyre të punës dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, katër mijë pika shërbimi do të humbasin kontratat e tyre të qirave të cilat janë ndër më të lartat në treg, dhjetë mijë të punësuar indirekt në zinxhirin ekonomik që kjo industri prodhon, duke filluar nga nënkontraktorët tanë si elektricistët, kompanitë IT, printim reklamash, e që vazhdojnë deri tek importuesit e aparateve TV, do të humbasin të ardhurat e tyre. Në momentin që kjo industri do t’i kalojë botës së nëndheshme, shteti do të humbasë rreth 45 milionë Euro të ardhurat që siguron çdo vit në formë taksash dhe sigurimesh shoqërore, bashkitë do të humbasin rreth 3 milionë Euro çdo vit dhe njëkohësisht do të shtohet me mijëra Euro shpenzimi për fondet e ndihmës sociale dhe papunësisë. Dhe ndërsa të gjitha këto përfitime që sot shoqëria dhe shteti merr do të humbasin, plaga sociale do të jetë aty, njëlloj e thellë - me njerëzit që do të vazhdojnë të luajnë po njëlloj, me të njëjtat drama sociale - por  tashmë më e gjerë në gamë, pasi aty tashmë do të përfshihet dhe rritja e kriminalitetit.”- thuhet në deklaratën e shoqatës së basteve.

Në fund të deklaratë kjo shoqatë që përfaqëson të gjitha kompanitë e basteve në vendin tonë iu bën thirrje aktorëve politik dhe shtetëror që të reflektojnë për këtë vendim.

“Të vetëdijshëm për gjithçka do të ndodhë, ne kërkojmë që të gjithë aktorët e përfshirë të reflektojnë, duke mos përdorur një çështje kaq delikate thjesht për përfitim politik të momentit. Qasja populiste me veprime të pamenduar në të tilla çështje, është e sigurt që mund të sigurojë disa vota më shumë në një palë zgjedhje, por as që nuk krahasohet me dëmin masiv dhe me shtrirje në një periudhë afatgjatë që do t’i shkaktojë shoqërisë dhe shtetit.”- shkruhet ndër të tjera në deklaratën e shpërndarë për mediet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë