Taksa

Mbyllet procesi për naftën pa akcizë: 2 mijë fermerë fitues

Me 30 mars ka përfunduar aplikimi i fermerëve për përfitimin e kartës së naftës pa taksa në portalin e-albania ku deri në fund të ditës kanë aplikuar 20561 fermerë.

Ministria e Bujqësisë sqaron se fermerët e shpallur fitues duhet t’i drejtohen agjencive të Ekstensionit Bujqësor (AREB) ose agropikave për t’u pajisur me kartën e naftës falas.

Pasi pajiset me këtë kartë, fermeri mund të tërheqë naftën në një pikë karburanti dhe atyre që u është pranuar aplikimi kanë të drejtë ta tërheqin atë deri në 30 nëntor 2021.

Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural ka kryer verifikimin e  përputhshmërisë së dokumentave të deklaruara nga fermeri  me ato që ka depozituar ku janë kualifikuar deri më tani rreth 2 mijë përfitues, ndërkohë që procesi i verifikimit për aplikimet e tjera vazhdon ende.

Implementimi i kësaj skeme, krahas të tjerash ka ndikuar pozitivisht në formalizimin e fermerëve, nëpërmjet pajisjes me NIPT.

Aplikimet u kryen nga fermerë të gjitha qarqeve të vendit, por numri më i madh i tyre është në qarkun e Korçës, Fierit, Beratit, Elbasanit, Dibrës dhe Tiranës. 

Mbështetja me naftë bujqësore bëhet për bimë të kultivuara, si perimet e serës dhe dru frutorë ndërsa  nga skema e naftës do të përjashtohen fermerët që deklarojnë tokë të kultivuar me ullishte, kullota, bimë dekorative etj.

Regjistrimin e një serre të mbjellë me vreshta, Ministria e Bujqësisë e ka kategorizuar si rast të veçantë dhe për efekt të aplikimit, ajo do të regjistrohet në seksionin “Pemëtore me kategorinë Dru frutorë /Vresht.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë