Futboll

Mbyllet historia e Koeman te Barcelona, Laporta e shkarkon pas mesnate

Historia e Ronald Koeman te Barcelona ka përfunduar në Madrid, në lagjen Valekas në jug të kryeqytetit, ku katalanasit pësuan humbjen e 5-të sezonale, të 3-ën në La Liga dhe të 2-tën radhazi pas “El Clasico”-s. Kjo situatë e ka shtyrë presidentin Joan Laporta të marrë vendimin për shkarkimin e trajnerit holandez.

Klubi ka shpërndarë një komunikatë pak pas mesnate, pas humbjes 1-0 me Rajo Valekanon. Ishte paraqitja e radhës e dobët, por edhe pa fat, sepse Depai, pasi ka shënuar 11 penallti radhazi, u ndal këtë herë nga Dimitrievski. Barcelona e falënderon trajnerin që në verën e 2020-ës u mor nga Josep Maria Bartomeu, pas humbjes së tmerrshme 8-2 në Lisbonë ndaj Bajernit. Tani katalanasit duhet të gjejnë një trajner të ri. Laporta, kur u kthye si president, donte ta largonte Koemanin, por nuk mundi të gjente një opsion më të mirë. Tani fondet janë dhe situata ndryshon.

Ksavi Hernandez, kandidati numer 1 per te marre drejtimin e Barcelonës. Gazeta Si, 28 tetor 2021

Favorit mbetet Ksavi, truri i Barcelonës së Guardiolës. Ai është kandidati numër 1, por duhet parë, nëse do të pranojë ta marrë drejtimin e skuadrës në këtë situatë kaotike, në vend të 9-të në kampionat dhe në rrezik serioz eliminimi në Champions. Zhordi Krojf, i cili punon në klub, pak javë më parë ka thënë se nuk dëshiron të zëvendësojë patriotin e tij Koeman. Është folur edhe për Andrea Pirlon, ndërsa “outsider” është ‘Munjeko’ Gajardo, argjentinasi që drejton River Pejtin.

Tani presidenti Laporta duhet të nxitojë, sepse koha nuk pret. Të shtunën është ndeshgja e radhës në “Camp Nou” me Alaveshin dhe të martën ajo me Dinamon e Kievit në Ligën e Kampionëve. Nëse nuk gjendet trajneri i ri deri atëherë, në stol do të ulet Serzhi Barjuan, për momentin trajner i skuadrës së dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë