Lajme

Mbyllet Festivali i Teatrit, nderohen Arbana, Xhuvani e Anagnosti

Aktorja Roza Anagnosti në tragjedinë "Medea"

“Babai” servir botën konfuze të një burri të moshuar në një gjendje të rënduar demence, që ia bën realitetin të paqëndrueshëm. Personazhi kryesor, Andre, përpiqet të kuptojë botën që po bëhet gjithnjë e më e çuditshme. Ai sheh persekutim gjithandej...Një rol që e ka lodhur shumë dhe i ka kushtuar shëndetin, por që më në fund korri frytet e një çmimi si aktori më i mirë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, për shfaqjen “Babai”.  Një rol nga i cili do të qe tërhequr nëse nuk do të ishte për këmbënguljen e familjes dhe regjisorit Spiro Duni.

Reshat Arbana në shfaqjen "Babai"

E me gjithë karrierën e gjatë , Reshat Arbana u shpreh për të pranishmit se kjo ishte hera e parë që ai vlerësohet me çmim në karrierën e tij. Juria e këtij festivali, të rikthyer në jetën artistike të kryeqytetit pas disa vitesh mungesë, kryesuar nga aktori i njohur  Ndriçim Xhepa e me anëtarë si Josif Papagjoni, Luli Bitri,Qëndrim Rijani dhe Shkumbin Istrefi, zgjodhën si aktoren më të mirë Luiza Xhuvanin, në rolin tragjik të Medeas,  prodhim i Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Në po të njëjtën tragjedi të Euripidit, u vlerësua me çmimin e karrierës aktorja Roza Anagnosti.

Luiza Xhuvani, në rolin e Medeas. 

Regjisori më i mirë i këtij festivali u shpall Altin Basha me përshtatjen e Gomari i  Babatasit” të  Gjergj Fishtës, një shfaqje të cilën Basha e vuri në skenë me trupën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës, ndërsa nuk i ka kursyer falënderimet për trupën dhe drejtoreshën e këtij teatri, ndërsa ka theksuar se është bukur të dalësh nga mërzia e Tiranës. Si shfaqjen më të mirë, juria vendosë të shpallë “Vdekja e Dantonit”  trupa e Teatrit Shqiptar të Shkupit,  e cila ishte edhe shfaqja që mbylli të dielën festivalin njëjavor, që  u zhvillua në skenën e “ArTurbina” dhe atë Universitetit të Arteve.

Boshti i shfaqjes është konflikti mes Dantonit dhe Robespjerit, përkatësisht përplasja mes dy qëndrimeve mbi çështjen si duhet të jetë shteti pasi të përfundoi revolucioni.  Robespjeri e konsideron Dantonin tradhtar që nuk dëshiron ta çojë revolucionin deri në fund, prandaj edhe pse ky i fundit është hero i popullit dhe mik i tij, ai vendos ta dërgojë në gijotinë. Kështu, Dantoni gjendet pikërisht përpara asaj gjykate të cilën e ka themeluar vet, pa mundësi për fjalën e mbrojtjes... Ndër njëmbëdhjetë çmimet që u akorduan në natën përmbyllëse të këtij festivali mbarëkombëtar të teatrit, vlerësime morën edhe aktorë të rinj si  Kristian Koroveshi apo Hajat Toçilla. Aktorët më të mirë në role joprotagoniste u vlerësuan Gresa Pallaska dhe Shkëlzen Veseli. Për skenografinë më të mirë u vlerësua Mentor Berisha, ndërsa çmimi  si kostumografia më e mirë i shkoi kostumografes Sofi Kara.  

Ky festival u mbyll me shpresën e drejtorit Hervin Çuli, që të shndërrohet në një aktivitet të përvitshëm, ndërsa ministrja Kumbaro, e pranishme në mbrëmjen përmbyllëse ka premtuar se do të shqyrtojë të gjitha propozimet që ky festival, i cili këtë vit mblodhi 14 trupa nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Shqipëria, të kthehet në një aktivitet çdo dy vjet ose edhe të përvitshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë