Ngjarje

Mbyllen shkollat për 3 ditë në Shqipëri, jo nga varianti “Omicron” por nga temperaturat e ulëta

Duke nisur nga java e ardhshme, nga e hëna e datës 24 deri të mërkurën në 26 janar, shkollat në të gjithë vendin do të jenë të mbyllura, por jo për shkak të variantit të Covid 19 “Omicron”, por për motin e keq. Lajmin e bëri publik sot ministrja e Arsimit Evis Kushi përmes një postimi në Facebook.

Kushi shprehet se në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, që në disa zona do të arrijë deri në - 17 gradë celsius.

“Dua t’ju njoftoj se sot në MAS kemi marrë një vendim të rëndësishëm që lidhet me procesin mësimor të shkollave tona në fillim të javës së ardhshme”, - shkruan Kushi në Fb.

Ministrja, duke iu referuar parashikimeve meteorologjike, thotë se në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, “të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni. Madje në disa zona do të arrijë deri në – 17 gradë celsius”.

“Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore”, - thekson Kushi.

Ministrja nënvizon se nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, vendimi do të rishikohet. “Do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rëndësi prioritar”.

Në fund, Kushi bën një apel për prindërit që të marrin masa për vete dhe fëmijët e tyre që këto ditëtë vështira t dimrit të kalohen sa më lehtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë