Ka ndodhur

Foto-Video/ Reshje të dendura bore në Veri e Juglindje, mbyllet Rruga e Arbrit. Akset ku kalohet me zinxhirë

Reshje të dendura dëbore kanë rënë mëngjesin e të premtes në veri, verilindje dhe juglindje të vendit, sidomos në zonat malore.

Për shkak të situatës, ku gjatë gjithë natës dhe në vazhdim ka pasur temperatura shumë të ulëta, kalimi në Bypassin e Murrizit bëhet i rrezikshëm. Kështu, autoritetet lokale kanë vendosur të mbyllin Rrugën e Arbrit, ndërsa pritet një tjetër njoftim për situatën në vijim.

Rruga e Arbrit kalon në Qarkun e Tiranës, në njësinë administrative të Zall-Bastarit dhe nëpërmjet tunelit të Murrizit, në territorin e bashkisë Klos e konkretisht në fshatrat Drezës, Xibër, Shkallë, Fshat. Pas daljes nga tuneli i Qafë-Buallit rruga kalon në afërsi të urës së Cerenecit, si dhe në të djathtë të fshatit Shupenzë.

Më problematike, situata ka qenë në Dibër dhe në Kukës, ku trashësia e dëborës në zonat e thella varion deri në 25 centimetra.

Nisur nga situata meteorologjike, Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas nëpërmjet Bypass-Qafë Murrizë, se për shkak të reshjeve, ky aks rrugor do të jetë i bllokuar përkohësisht deri në pastrimin total nga firma kontraktore. Policia gjithashtu apelon drejtuesit e mjeteve të ndjekin aksin rrugor Klos-Burrel-Ulëz, dhe të mos shkaktojnë trafik.

Policia Rrugore ndodhet në të dyja kahet e lëvizjes dhe nuk do të lejojnë asnjë drejtues mjeti të qarkullojë  deri sa rruga të pastrohet plotësisht nga kontraktorët. Akset rrugore Bulqizë-Peshkopi; Bulqizë-Klos janë të kalueshme, por drejtuesit të mos qarkullojnë pa goma dimërore.

Policia e Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar në drejtimin e mjetit, si dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme.

Po ashtu edhe aksi Peshkopi-Draj Reç-Kukës, Ura e Çerenecit-Steblevë-Librazhd, segmenti nga Ostreni drejt Steblevës, kalimi bëhet me zinxhirë.

Ndërkohë në rrugët nacionale Peshkopi-Tiranë qarkullimi vijon pa probleme, ndërsa kalimi në aksin Peshkopi-Kala, i Peshkopi-Draj Reç-Kukës, e Dodës-Kukës duhet të bëhet me zinxhirë.

Për procesin mësimor, nga ana tjetër në Bulqizë ka pasur një mungesë të theksuar të nxënësve në klasa për shkak të reshjeve të dëborës që vijojnë me intensitet të lartë,

Trashësia e dëborës në njësitë administrative të kësaj zone vijon nga 10 cm deri në 40 cm,ndërkohë disa fshatra kanë ngelur pa energji elektrike, si pasojë e dëmtimit te linjave te transmetimit të ulët dhe atë të mesëm.

Pa energji janë edhe Nj.Ad të Kukësit si Ujmisht, Bushtricë dhe Grykë Çajë, Tërthore, fshatrat Shishtavec, Novosej, Zapod Nj.Ad Shishtavec, qyteti Kukës 400 abonentë bashkia Kukës dhe Nj.Ad Gjinaj Bashkia Has.

Reshje të dendura dëborë kanë rënë edhe në juglindje të vendit, ku Korça dhe Pogradeci janë zbardhur, me temperaturat që janë ulur.

Reshje të dendura dëbore janë raportuar edhe në Bashkinë e Pukës në qarkun e Shkodrës. Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, u bën apel drejtuesve të mjeteve që të kenë kujdes pas reshjeve të fundit të dëborës

"Reshje dëbore ka pasur në: Boboshticë-Dardhë, Qafë Thanë-Kapshticë, Fushë Stude-Klenjë, Bajram Curri-Valbonë, Kukës-Ura e Zapodit, Qafë Mali-Fierzë, Dedaj-Razëm-Bogë, Kuben-Vasije, Qafë Qelë-Pukë-Fushë Arrëz-Fushë Dukagjin, por pa sjellë probleme me qarkullimin," njofton ARRSH.

Sipas ARRSH-së, kontraktorët kanë punuar gjatë natës me mjete borëpastruese për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës. Ndërsa gjatë orëve në vijim priten temperatura të ulëta deri në -17°C në zonat malore.

ARRSH i bën apel drejtuesve që të respektojnë sinjalistikën rrugore, të reduktojnë shpejtësinë, të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore si dhe të ndjekin udhëzimet e policisë Rrugore.

Një ditë më parë, ministrja e Arsimit, Evis Kushi, ka njoftuar se duke filluar nga dita e hënë, deri të mërkurën do të mbyllen shkollat në vend për shkak të temperaturave ekstreme. Në disa zona tha ajo, temperatura do të arrijë deri në - 17 gradë celsius.

Kushi shtoi, se orët nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë