Drejtësia

Mbyllen hetimet për ish-prokurorin e Sarandës, dosja shkon për gjykim

SPAK ka mbyllur hetimet paraprake, duke marrë të pandehur dhe dërguar për gjykim ish-prokurorin e Sarandës, Sali Hasa dhe 7 persona të tjerë.

Hasa është pjesë e dosjes së hetimeve për paracaktimin e rezultatit të garave sportive, ku u arrestua në 19 qershor 2021 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas SPAK, ai dyshohet se i mori një shumë parash për të pushuar dosjen e një të pandehuri, i cili akuzohej dhe ishte vënë nën hetim për plagosje. Nga hetimet, doli në dritë një aferë korrupsioni në sistemin e drejtësisë.

Prokurori i Sarandës kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta, por ai e ka pushuar çështjen me ndërhyrjen e motrës së të dyshuarit Elsona Papa, e cila dyshohet se i dha ryshfet prokurorit për të liruar vëllain. Ndaj Hasës rëndon akuza për korrupsion pasiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë.

I arrestuar para pak muajsh me akuzën e korrupsionit, Hasa u shkarkua edhe nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. KPK ka kryer hetim për prokurorin edhe për kriterin e pasurisë. Nga raporti ILDKPKI-së, deklarimi nuk është i saktë dhe ka mungesë burimesh financiare.

Ai ka deklaruar se ka shitur një objekt karabina, por nuk ka dokumente që e vërtetojnë. Për shtëpinë në Kavajë dhe në Sarandë, ka pasur mungesë burimesh financiare.

Komisioneri i Vettingut kishte evidentuar probleme në shitje-blerjet e apartamenteve, probleme në shit-blerjen e pesë makinave, ku në një rast, prokurori Hasa e kishte blerë mjetin për 850 euro dhe djali i tij e shiti per 400 mijë lekë të reja.

Në gjyq ka shkuar edhe Napolon Hodaj, oficeri i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, gjyqtari i ndeshjeve të futbollit, Qerim Ruçi; një zyrtar i klubit sportiv SHS “Përmeti”, Bledar Hajredini, si dhe dy "sekserët", Julian Zera dhe Emiljano Mirani.

1. Sali Hasa, akuzohet se ka kryer veprat penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, në formën e fshehjes dhe deklarimit të rremë.

2. Napolon Hodaj, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

3. Emiljano Mirani, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

4.Elsona Papa, akuzuar se ka kryer veprën penale të “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

5. Markelian Alinani, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Paracaktim i rezultateve sportive”, në bashkëpunim.

6.Julian Zera, akuzuar se ka kryer veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim dhe “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

7. Qerim Ruçi, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim.

8. Bledar Hajredini, akuzuar se ka kryer veprën penale “Paracaktimi i rezultateve në garat sportive”, kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë