Prokuroria e Tiranës, ka zbardhur bisedat në grupin Whatsapp, që kanë sjellë dhe arrestimin e tre kontrollorëve të Rinasit, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre për bllokimin e fluturimeve.
Prokuroria thotë se një prej tyre, Muhin Mezini, me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror, ka ndikuar te vartësit e tij për plotësimin e formularëve të paaftësisë së përkohshme në punë, fakt të cilin e kanë konfirmuar në polici edhe Emiljano Majani, Erion Alibali dhe Erjon Krisafi.
Në datë 06.04.2021, ora 10:49, shtetasi Muhin Mezini i ka dërguar kontaktit të regjistruar me emrin Ezi, me numër celular “069*****” foto të formularit të paaftësisë së përkohshme të plotësuar në emër të tij, ndërsa bashkëbiseduesi Ezi i përgjigjet:
“E mira është të shkruash me shkurt”. Nga përmbajtja e bisedës së zhvilluar mes tyre në vijim, del se shtetasi Muhin Mezini e orienton shtetasin Ezi për mënyrën e përpilimit të formularit te paaftësisë së përkohshme të plotësuar në emër të tij.
LEXO EDHE:
– Prokuroria, urdhër-arresti për tre organizatorët e bllokimit të Rinasit
– Meta i kërkon KLSH: Audito shoqërinë “Albcontrol”
– Rama: Forca të errta të së shkuarës po sfidojnë Kryeministrin, nuk do ia dalin!
– Rama: Ilir, plani yt dhe i Saliut dështoi! Vaksinat vijnë sot
– Shoqërimi i kontrollorëve, reagon LSI: Ai që duhet të ndalohet është Rama
– A është politike greva e kontrollorëve në Rinas?
– Kontrollorët e trafikut ajror nuk mund të hyjnë në grevë
Nga ana tjetër, nga dëshmitë e punonjësve, ka rezultuar se Mezini ka bashkëpunuar me Flora Ndrecën dhe Armando Fezgën, edhe këta të arrestuar për plotësimin e formularëve të paaftësisë.
“Mua dhe Lolën na pushuan se kemi dhënë dorëheqjen të gjithë, por shyqyr që u kujtuan të gjithë bashkë, e prekën fundit”, – lexohet në një nga mesazhet në aplikacionin WhatsApp, mes Flora Ndreca, një ndër të arrestuarit që komunikon me një punonjës tjetër.
Sipas prokurorisë, një tjetër i arrestuar, Armando Fezga, komunikon me Eldi Dervishin dy ditë më parë, 6 prill rreth orës 11:34, ku i shkruan: “Nokut ja ka plotësuar Lola gjërat dhe po pret turnin e dytë që ta nisi, turni i parë ACC e kanë gati. Hë në fund do e nisin”.
Më pas, në grupin e WhatsApp-it, një nga kontrollorët, i quajtur Hajredini, në datën 6 prill, ora 04:25, i shkruan Armandos: “Po unë them duhet që të bëni dhe tokai jo vetëm atë”, ndërsa Klesti, një tjetër prej kontrollorëve, shkruan: “Mbylle kullën”.
Por Hajredini i përgjigjet: “Nuk pi ujë, guxim kam, por jo deri këtu, se ato letra i djeg maksimumi me çakmak mbrapa ndërmarrjes”.
Kështu pra, Prokuroria verën se nga deklarimet e kryera, provohet se Flora Ndrca, Armando Fezga dhe Muhin Mezini, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndikuar tek vartësit e tyre për të plotësuar formularin e paaftësisë së përkohshme për punë, me qëllim shmangien nga detyrimi ligjor për të ushtruar detyrën e tyre funksionale në institucionin e rëndësisë së veçantë.
Kryerja e këtyre veprimeve, ka nxjerrë jashtë funksionit Kullën dhe aeroportin “Nënë Tereza”, duke paralizuar uljen dhe ngritjen e avionëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.








