Editorial

A është politike greva e kontrollorëve në Rinas?

Shqipëria i ngjan shumë përrallës së Ljuis Keroll "Liza në Botën e Çudirave". Në këtë vend ndodhin çudi çdo ditë, të tilla që as nuk i mendon, as nuk i pret dhe as nuk i parashikon dot. Në mes të fushatës zgjedhore, kur as nuk e mendon se si mund të ndodhë, në mes të vendit ndodh një grevë e kontrollorëve ajrorë dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë, të paktën historinë e 31 viteve të tranzicionit, në pistën e vetme ajrore nuk ulet asnjë avion. Nuk ka ndodhur as në vitin 1991, as në 1997, në mes të trazirave, në marsin e asaj kohë, meqënëse jemi pak a shumë në të njëjtën periudhë. Ndodh në prillin e vitit 2021.

Aeroporti i vetëm ndërkombëtar i vendit ka një specifikë organizative. Menaxhimin e  sipërfaqes në tokë dhe të fluksit të udhëtarëve e bën një kompanië private, kurse menxhimi i hapësirës ajrore dhe fluksit të avionëve bëhet përmes Albkontrollit. Albkontrolli është një kompani shtetërore, por që financimin në shumëcën dërrmuese nuk e merr nga shteti por nga aktiviteti i tij i biznesit. Në këtë mënyrë paguan edhe punëonjësit, ku kontrollorët ajrorë janë shtylla kurrizore e funksionimit të kësaj kompanie. Ata nuk paguhen si të gjithë punonjësit e tjerë shtetërore apo publikë, por për shkak të specifikës së punës, shkallës së "knoë-hoë", vështirësisë dhe sigurisë kanë një pagë dy, tre apo katër herë më të madhe edhe se Kryeministri, Presidenti i Republikës apo Kryetari i Kuvendit. Të tilla paga kanë vetëm administratorët në sektorin privat, por për shkak të specifikës së punës, me sa duket u paguakan edhe në gjysëm shtet. 

Se sa është paga e tyre, veç tyre dhe atyre që ua firmosin atë në bordero, pak kush nga ne shqiptarët e thjeshtë e dinte këtë deri sa ministrja e Transporteve e bëri publike. Për këta punonjës, për pagën e tyre nuk bëhet garant shteti shqiptar, por marrëdhënia e biznesit. Pra në një llogjikë të thjeshtë këta janë punonjës shtetëror, por paguhen me kritere private për shkak se biznesi i ajrit, aq më tepër në një situatë monopoli është shumë fitimprurës.

Aktualisht këta punonjës janë në grevë  sepse ndjehen të stresuar ngaqë puna e tyre ka rënë dhe si e tillë ka rënë edhe paga. Nëse ka rënë puna, në çdo biznes privat, edhe atë të ajrit, kompania që e menaxhon ose shkurton numrin e punonjësve ose shkurton pagat. Nga sa po mësojmë, punonjësit në fjalë nuk duan as të shkurtohen si numër (sepse ndryshe stresohen nga mbingarkesa) por as t'u shkurtohen pagat sepse stresohen nga ulja e nivelit. Dhe çfarë niveli, një pagë më sipër edhe se Presidenti i Republikës. Këta duan që pagën e munguar nga përgjysmimi i fluturimeve t'ia kompensojë shteti, domethënë qeveria. 

Dhe për këtë kanë vendosur të bëjnë të vetmen gjë që nuk bëhet, të bëjnë grevë. A u lejohet apo jo, kjo është një çështje që ha diskutim ligjor, jo moral. Ligjërisht ka institucione që e zgjidhin këtë mosmarrëveshje, sepse edhe pse paguhen si privat, këta punonjës veprojnë mbi bazën e një ligji.

Moralisht nuk u lejohet, jo sepse ata duhet të përgjigjen në fund të muajit përpara moralit të tyre, por sepse edhe me pagën aktuale, ata duhet t’u dalin përpara dhjetra mijë shqiptarëve që paguhen si në shtet si në privat me 10 fish më pak dhe tu shpjegojnë se përse kanë vendosur të ndalojnë çdo fluturim në Shqipëri. Dikush mund të presë djalin, motrën, vëllain, të tjerë presin në radhët e vaksinave, shumë kanë edhe probleme me shëndetin për të ikur apo për të ardhur në Shqipëri.

Një grevë e tillë në mes të fushatave, njëra për zgjedhje dhe tjetëra për vaksina, edhe sikur të mos ketë lidhje, për ne shqiptarët që punojmë 7 ditë të javës, nga 8 orë dhe jo me orare e ditë të kufizuara si ata, pavarësisht se nuk kemi përgjegjësinë e njerëzve në ajër, na duket të paktën jo llogjike, për të mos thënë se një pjese të madhe prej nesh mund t’i duket edhe politike.

Edhe sikur mos të jetë vërtetë e tillë, e tillë bëhet, nga konteksi i kohës, konteksi i ngjarjeve dhe konteksi i punës që këta grevistë kryejnë. Në një periudhë kur ekonomia tkurret dhe nuk rritet, shumë njerëz që pagën mujore të kontrollorëve e marrin në një vit, kanë humbur edhe punën. Prindërve të tjerë që me aq para ushqejnë fëmijët në një vit, nuk mund t'u përplasësh në fytyrë fitimin e munguar kur nuk dijnë se si të mbyllin muajin që javën e parë të tij. Për këta, mbi çdo arsye dhe për çdo gjë, kjo grevë është politike. Edhe sikur të mos jetë e nxitur nga asnjëra palë, as Ilir Meta dhe as Sali Berisha siç thotë Edi Rama, kjo është një grevë kundër shqiptarëve.

Shumë mirë që ndodhi. Tani nuk dyshojmë që partitë nuk u besojnë sondazheve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë