Ka ndodhur

Prokuroria, urdhër-arresti për tre organizatorët e bllokimit të Rinasit

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar arrestimin për tre kontrollorët e trafikut ajror, të dyshuar si organizatorë të bllokimit të punës në Rinas, me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Ata janë Armando Fezga, Flora Ndreca dhe Muhir Mezini.

Fezga mësohet se është kreu i sindikatës, Ndreca përgjegjëse e turnit, ndërsa Mezini, një punonjës i kontrollit të trafikut ajror, dyshohet nga organi i akuzës si nxitës dhe organizaror i bllokimit të fluturimeve nga Rinasi.

Mbrëmjen e djeshme, policia shoqëroi 25 kontrollorë, por mëngjesin e sotëm i liroi të gjithë, me përjashtim të tre të lartpërmendurve.

Prokuroria e Tiranës ka filluar menjëherë hetimet për situatën e ndodhur në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Vepra penale, për të cilën po hetohet, është “shpërdorim detyre”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Burime nga grupi hetimor, bëjnë me dije se ditën e djeshme kanë qenë të planifikuara për të fluturuar nga Rinasi, 13 linja ajrore.

Prej tyre, pesë janë nisur, ndërsa tetë janë pezulluar. Punonjësi A.K. ka shkuar në vendqëndrim për të marrë informacion për linjat e fluturimit, ku dhe i është thënë nga kontrolli se linja e Athinës ishte nisur për në Tiranë dhe se do të ulej në orën 9.

Punonjësi dëshmon dhe ka shkruar në procesverbal, se në orën 9.20 konstatoi në pistë avionin e linjës Rinas-Stamboll, që duhet të ishte nisur.

”Pyeta marshallin e VQA, se përse nuk është nisur avioni”, - dëshmon punonjësi A.K., “marshalli me tha se janë në grevë punonjësit e AlbControl dhe se janë në pritje të një konfirmimi”.

Sipas TCH, sqarohet dinamika se si ky punonjës është rikthyer në zyrat e load kontrollit dhe se aty është njoftuar se avioni Athinë-Tiranë është kthyer mbrapsht.

E pyetur gjatë mbrëmjes, punonjësja e ODM,  Edona Pullazi pohon se e mori detyrën dhe turnin, e aty kolegu e kishte njoftuar se i kishte ardhur e-mail për pezullimin e fluturimeve, nga ora  9.23 deri deri në 12.

Pullazi shton ”më pas erdhi e-mail po nga AlbControl që anuloi mesazhin e parë dhe që lejonte fluturimet deri në 12 dhe më pas erdhi e-maili i fundit për pezullimin e fluturimeve deri ditën e nesërme datë 8″. Këto e-maile i janë vënë në dispozicion hetuesve.

Prokuroria ka sekuestruar këtë të enjte grafikët e turneve, ku turni i parë kishte dhjetë kontrollorë në detyrë, i dyti dhjetë dhe i treti 7 punonjës. Të gjithë këta kontrollorë, që ishin të planifikuar në grafikë, dyshohen se kanë shpërdoruar detyrën.

Një ditë më parë, Forcat e Armatosura dhe FNSH, morën kontrollin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend, me mazhorancën që e quajti këtë situatë një "grusht shteti".

Pjesa më e madhe e kontrollorëve të trafikut ajror në "AlbControl", kanë ndalur punën me arsyetimin se për shkak të uljes së pagës, ata kanë pasur stres, si pasojë e rënies së financave në familje dhe janë deklaruar të paaftë për punë. Kjo ka bërë që ata të ndërpresin punën e tyre duke pezulluar fluturimet.

Për këtë ngjarje, pati reagime shumë të ashpra nga autoritetet shtetërore. Kryeministri Rama dhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku e kanë cilësuar si një "grusht shteti", që ka prapavijë politike dhe se është i nxitur nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.

Më herët, vetë Rama u bëri thirrje kontrollorëve që të ndahen nga organizatorët e grevës që i futën në këtë lojë të rrezikshme dhe t’i rikthehen punës.

Mnistrja Balluku, tha se organizatorët janë kallëzuar në prokurori dhe se qeveria ka një plan për rifillimin e fluturimeve shumë shpejt.

Fluturimet në Aeroportin e Rinasit janë ndërprerë që prej ditës së djeshme dhe nuk dihet nëse do të rifillojnë këtë të enjte.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë