Kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj, dhe portieri kuqezi, Tomas Strakosha, ishin përballë njëri-tjetrit dje në mbrëmje, pasi Napoli dhe Lacio u ndeshën në fazën çerekfinale të Kupës së Italisë. Napoli fitoi 1-0 dhe ka kaluar në gjysmëfinale të këtij kompeticioni falë golit të kapitenit Lorenco Insinje. Për Lacion, një ekip ekspert i kupës, gjithçka mbaron këtu.
Paraqitja e dy futbollistëve të Kombëtares në këtë ndeshje ishte e dobët, sidomos ajo e Hysajt. Mbrojtësi i krahut e mbylli ndeshjen pas 19 minutash, kur pa para fytyrës kartonin e kuq. Shkodrani bëri dy gabime të rënda, në filim shkaktoi një penallti që u shpërdorua nga Imobile. Në këtë rast u ndëshkua me karton të verdhë, ndërsa në rastin e dytë kreu një faull dhe mori kartonin e dytë të verdhë, duke e lënë Napolin me 10 lojtarë. Shtypi sportiv italian e ka vlerësuar me notën 4. “I pakujdesshëm. Mer dy kartonë të verdhë brenda pak minutash. Shkakton penallti ndaj Kaisedos dhe ndërhyn ndaj Imobiles që ishte nisur në kundërsulm. Për fat të tij dhe të Napolit, Leiva bëri edhe më keq dhe barazoi numrin e lojtarëve në fushë për të dyja skuadrat”. Ky është vlerësimi për Hysajn.
Por edhe Strakosha ka qenë në një ditë të errët, pavarësisht se nuk bëri ndonjë gabim aq të rëndë sa Hysaj. Këtë herë portieri i Lacios është vlerësuar me notën 5.5. “Në golin e Insinjes nuk ka faj, por një gabim i tij në pjesën e dytë për pak sa nuk i dhuron golin e dytë Napolit. Për fatin e portierit, topi u përplas në shtyllë”, - shkruhet në vlerësimin për paraqitjen e Strakoshës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.