Lajme

Mblidhet Këshilli që do të drejtohet nga Majlinda Bregu

Në Bruksel u mblodh këtë të martë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, një strukturë e mbështetur nga Komisioni Europian me objektiv përafrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor jo vetëm me praktikat europiane, por edhe mes njëri-tjetrit.

Këtë vit, tema e forumit të 19-të ishte “Zgjerimi, integrimi dhe sfidat e transformimit”. Samiti shërben si një platformë për të bërë bashkë udhëheqësit e vendeve të rajonit me përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Europian dhe shteteve anëtare për të adresuar çështjet politike, ekonomike dhe sociale që shqetësojnë Ballkanin Perëndimor.

Në këtë takim merrte pjesë edhe Majlinda Bregu, e cila më 1 janar do të marrë kryesimin e këtij Këshilli nga Goran Svilanoviç. Në fjalën përshëndetëse, Bregu theksoi se Ballkani Perëndimor është një përgjegjësi e përbashkët, jo vetëm mes vendeve të Ballkanit, por edhe mes tyre dhe Bashkimit Europian.

“Transformimi i Ballkanit Perëndimor buron nga ndërlidhja, bashkëpunimi, nga integrimi i ekonomive tona në një treg të përbashkët dhe ndërlidhja e qytetarëve dhe vlerave për interesat tona të përbashkëta politike, ekonomike dhe sociale”, tha ajo.

Në diskutime u cekën edhe problematikat me të cilat po përballet sot rajoni dhe reformat parësore ekonomike dhe politike që nevojiten për të siguruar një perspektivë të besueshme anëtarësimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë