Lajme

Deputeti Rraja: S’bëhem prokuror i djalit, i takon drejtësisë

Deputeti i PS-së, Rrahman Rraja, ka reaguar në rrjetin social në “Facebook” në lidhje me çështjen për të cilën është arrestuar i biri. Rraja shprehet se nuk ka bërë kurrë presion ndaj policisë.

Duke i mëshuar faktit se një baba s’mund të bëhet prokuror, Rraja distancohet nga çdo lloj kërcënimi apo presioni ndaj oficerit Nuhu për të mbyllur çështjen në ngarkim të djalit të tij. Sipas tij, kjo çështje i takon drejtësisë për t’u hetuar.

“S’kam marrë pjesë në asnjë lloj presioni mbi policinë dhe kam kërkuar dhe kërkoj të hetohet vendndodhja ime atë ditë. Mos prisni nga unë që të bëhem prokurori i tim biri dhe mos keqpërdorni fjalët e mia si baba! Po e them shumë qartë që prokuroria duhet ta hetojë çështjen deri në fund”, shprehet Rraja në rrjetin social.

Ndërsa, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS që u mblodh ditën e sotme nën drejtimin e Edi Ramës, deputeti Rraja nuk ka qenë i pranishëm. Theksojmë që gjatë mbledhjes së sotme nuk u prek rasti i Rrajës.

Por, deputeti Rrahman Rraja në një prononcim të shkurtër në dalje të kryesisë së Kuvendit, ka deklaruar se djali i tij nuk ka ushtruar dhunë dhe se nuk do të largohet nga grupi i PS-së.

“Nuk do të largohem nga grupi i Partisë Socialiste”, ka deklaruar Rraja para gazetarëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë