Rend dhe Ligj

Hapet gara për krijimin e SPAK, prokurorët kanë 1 muaj kohë

Këshilli i Lartë i Prokurorisë hapi garën për krijimin e SPAK, Prokuroria Speciale Antikorrupsion.
Në rendin e ditës ishtë edhe projektvendimi për kontrollin e figurës për prokurorët që do të bëhen pjesë e SPAK. Mësohet se sot pritet që të hapet emërimi i 6 magjistratëve, të cilët prej 4 muajsh kanë mbetur pa punë dhe pa pagesë pasi nuk u emëruan.
Për vendet vakante mund të kandidojnë të gjithë prokurorët që kanë mbi 10 vite eksperiencë dhe që nuk kanë pasur masë disiplinore në fuqi. Përjashtohen nga kandidimi anëtarët e këshillit.
Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi u shpreh se do zgjidhen prokurorët me kriteret më të mira dhe dorëzimi i dokumenteve pritet të bëhet brenda 1 muaji.
“Emërimi i prokurorëve për Prokurorinë e Posaçme është rritje në detyrë. Do të zgjidhen prokurorët me kriteret më të mira profesionale dhe morale për të qenë anëtar i SPAK. Magjistrati duhet të ketë ushtruar profesionin për 10 vite dhe të mos ketë marrë masë disiplinore. Magjistrati nuk duhet të jetë anëtar i KLP dhe duhet të ketë kaluar procesin e rivlerësimit. Aplikimi s’do bëhet vetëm online, por dokumentet mund të nisen edhe me postë”, është shprehur kreu i KLP-së.
Çfarë është SPAK?
Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në emër të shtetit para Gjykatës së Shkallës së Parë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Gjykatës së Apelit kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe Gjykatës së Lartë. Merr masa dhe mbikëqyr ekzekutimin e vendimeve penale, si dhe kryen detyra të tjera të ngarkuara me ligj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë