Njerez

“Mbizotëron dhuna psikologjike…” Historia e vajzës që duroi dhunën për shkak të mentalitetit

“Ndërkohë që keni bërë thirrjen e parë telefonike, isha duke ofruar këshillim për një viktimë të dhunës në familje”, thotë për Gazetasi.al Lirie Dina, avokate pranë Qendrës për nisma ligjore qytetare ku mbështeten me përfaqësim ligjor femrat e dhunuara.

Viktima kishte raportuar dhunën shumë vite më parë, por vazhdon të mbështetet nga avokatet e qendrës për çështje të tjera ligjore për të cilat ajo ka nevojë. Viktimat e dhunës, zakonisht pasi përfitojnë këshillim ligjor dhe përfaqësim për dhunën në familje, vijojnë të mbështeten për çështje të tjera si: zgjidhje martese, autorizim për të lëvizur jashtë vendit me të mitur, detyrim ushqimor, ndryshim të vendimit të zgjidhjes së martesës, të drejtat pronësore të fituara nga martesa, konflikte pune, etj.

Avokate Dina ka treguar për Gazetasi.al një tjetër rast dhune që kanë ndjekur.

M.N,  me arsim të lartë, e punësuar dhe banuese në Tiranë, ka bashkëjetuar me B.D prej 12 vitesh. Nga bashkëjetesa e tyre ka lindur një vajzë, e cila është e moshës 9-vjeçare. Marrëdhëniet e çiftit kanë qenë të komplikuara që në fillim të kur nisën të jetonin bashkë për shkak të konflikteve dhe keqkuptimeve të krijuara nga papunësia e vazhdueshme e bashkëjetuesit, neglizhencës së tij, mosmarrjes së përgjegjësive përsipër dhe mos kujdesit, veçanërisht ndaj bashkëjetueses, fëmijës, si dhe ndaj nevojave të familjes. Ndaj M.N është ushtruar dhunë fizike para disa vitesh në raste sporadike dhe dhunë e fortë psikologjike dhe emocionale në mënyrë sistematike nga bashkëjetuesi. B.D, edhe në prani të familjarëve të saj ose të fëmijës së mitur, e fyente dhe e përbuzte. Jo vetëm kaq, por ai e denigronte në ambiente private edhe në ambiente publike. B.D prej vitesh shfaqte xhelozi të tepruar ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe ndërhynte në përzgjedhjen e miqve dhe ruajtjen e raporteve miqësore apo familjare/fisnore. M.N ka qenë e detyruar të vazhdojë jetën me të, në kundërshtim me vullnetin e saj, duke qenë se bashkëjetuesi i saj nuk pranonte t’i jepte fund kësaj marrëdhënie që nuk po funksiononte.

Kjo situatë ka bërë që M.N të jetojë nën një presion psikologjik permanent, i cili ka ndikuar jo vetëm në rëndimin  e gjendjes psikologjike të fëmijës (shfaqje të agresivitetit, mbyllje në vetvete, refuzimin për tu shoqëruar me bashkëmoshatarët) por edhe të vetë M.N.

Ajo është e vetmja që punon dhe sjell të ardhura në familje, të cilat shkojnë për mbulimin e shpenzimeve për të gjithë, ushqimin, rritjen, arsimimin, kujdesin mjekësor të fëmijës. B.D jo vetëm që nuk punon, por nga ana tjetër ka shpërdoruar të ardhurat e saj mujore për nevoja personale e për alkool, duke sjellë si pasojë shkatërrimin e ekonomisë familjare. Përveç marrëdhënies në çift edhe komunikimi midis bashkëjetuesve është dëmtuar rëndë.

Komunikimi midis tyre nuk ka qenë normal, në ato pak raste që duhet të bisedonin me njëri-tjetrin do të shoqërohej me tone të larta, fyerje, fjalor banal, kërcënime dhe presione. Gjatë gjithë kohës B.D i drejtohej M.N me fjalë të tilla si:  psikopate, skizofrene, injorante, etj. Ky është refreni që ndiqte çdo diskutim që mund të zhvillonin të dy. Marrëdhënia e tyre ishte agravuar aq shumë saqë nevojitej gjithmonë ndërhyrja e personave të tjerë familjare për normalizim të situatës.

Për shkak të mentalitetit, mungesës së mbështetjes së të afërmve së saj dhe për të mos shkatërruar familjen, që vajza të kishte pranë babait, M.N nuk e ka denoncuar asnjëherë dhunën në familje. Ajo ka përjetuar episode të dhunës fizike, por ajo që ka qenë konsistente që prej fillimit të marrëdhënies, e ndjerë në vazhdimësi me vite, ka qenë dhuna dhe presioni psikologjik, frustrimi, cenimi i integritetit të saj psikologjik nga bashkëjetuesi. Intensiteti i dhunës psikologjike është shtuar sidomos prej vitit 2018 e në vijim.

Episodi i fundit i dhunës së rëndë psikologjike ka ndodhur në fillim të muajit shtator 2021. M.N ka njoftuar policinë dhe ka kërkuar mbrojtje nga bashkëjetuesi i saj dhunues. Policia e ka asistuar në plotësimin e formularit të aplikimit për lëshimin e Urdhrit të mbrojtjes drejtuar gjykatës.

Pasi zonja është paraqitur pranë zyrës së Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, i është ofruar këshillim nga avokatët mbi ligjin për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare, të drejtat e viktimës së dhunës në familje dhe mjetet mbrojtëse.

M.N është përfaqësuar nga avokatja e QNL në seancat gjyqësore të lëshimit të Urdhrit, është këshilluar për provat që duhet të depozitojë në këtë proces, masat mbrojtëse që duhet të kërkojë dhe i janë përgatitur aktet gjyqësore që janë depozituara në gjykatë.

Në përfundim, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur pranimin e kërkesës së viktimës M.N, duke urdhëruar masat mbrojtëse:

-Lëshimin e Urdhrit Mbrojtës për viktimën M.N për 12 muaj, i padituri të mos kryejë vepra të dhunës ndaj viktimës; të mos kërcënojë viktimën; të mos cenojë, ngacmojë apo kontaktojë viktimën; të largohet nga banesa ku jeton viktima;-lënien e fëmijës për rritje dhe edukim nënës së tij; -detyrimin e të paditurit të paguajë një detyrim ushqimor në masën 15.000 lekë në muaj për fëmijën e mitur si edhe -vënien në mbrojtje të fëmijës së mitur.

Avokatja pranë QNL Lirie Dina thotë për Gazetasi.al se ka një rritje të ndërgjegjësimit tek gratë për të kërkuar ndihmë dhe për rrjedhojë shtim të numrit të viktimave të dhunës në familje që raportojnë dhunën dhe kërkojnë të pajisen me urdhër mbrojtje.

“Rritja e ndërgjegjësimit mendojmë se vjen si rezultat i sensibilizimit dhe informimit të viktimave nëpërmjet fushatave dhe aktiviteteve ndërgjegjësuese nga organizatat, nga vete institucionet dhe nga media, gjithashtu”, shton ajo.

Çfarë lloj dhune mbizotëron më shumë?

Dina tregon se të pranishme janë të gjitha llojet e dhunës por më së shumti “ndeshim raste të dhunës së fortë psikologjike dhe emocionale, të cilat bashkëshoqërohen edhe me forma të tjera të dhunës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë