Nga Gazeta Si- Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt, iSIGURT.al, ka identifikuar dhe raportuar për heqje 42,624 materiale (foto dhe video) me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve (CSAM) vetëm gjatë qershorit.
Përfaqësues të organizatës thonë se ky është një nga rastet më të rënda të konstatuara deri më sot nga iSIGURT.al dhe ngre shqetësime serioze mbi përdorimin e infrastrukturës shqiptare të internetit për shpërndarjen e materialeve që dokumentojnë abuzimin seksual të fëmijëve.
Gjatë verifikimit të rastit u konstatua se të gjitha materialet ishin publikuar në një faqe interneti me domain .AL, duke treguar se edhe hapësira shqiptare e internetit po shfrytëzohet nga autorët e këtyre krimeve për publikimin dhe shpërndarjen e materialeve të paligjshme.
Çdo foto apo video me përmbajtje të abuzimit seksual të një fëmije nuk është thjesht një skedar digjital. Ajo përfaqëson provë të një krimi të rëndë dhe një fëmijë viktimë, i cili riviktimizohet sa herë që materiali shikohet ose shpërndahet.
Menjëherë pas identifikimit të materialeve, iSIGURT.al i raportoi ato pranë autoriteteve kompetente për heqjen e tyre dhe nisjen e procedurave hetimore.
“Fakti që vetëm gjatë një muaji u identifikuan mbi 42 mijë materiale me përmbajtje të abuzimit seksual të fëmijëve në një faqe me domain .AL është jashtëzakonisht alarmues. Ky rast tregon se Shqipëria nuk është e paprekshme nga këto forma të kriminalitetit dhe se nevojiten masa shumë më të forta për monitorimin e internetit, hetimin e autorëve dhe mbrojtjen e fëmijëve,” u shpreh Altin Hazizaj, Drejtor i CRCA Shqipëri.
Ky rast evidenton nevojën urgjente për forcimin e monitorimit të faqeve me domain .AL, bashkëpunim më të shpejtë ndërmjet autoriteteve, ofruesve të internetit dhe kompanive të hostimit, forcimin e hetimeve penale ndaj autorëve të këtyre veprave dhe rritjen e ndërgjegjësimit dhe raportimit nga qytetarët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje