Nga Gazeta ‘SI’- Shqipëria vlerësohet si një nga vendet që po humb në luftën me emigracionin dhe lindshmërinë.
Sipas raportit botëror të emigrimit nga Organizata Ndërkombëtare IMO, Shqipëria, është një nga vendet ku normat e lindjes janë tashmë nën nivelin e zëvendësimit dhe një nxitje e mëtejshme e emigrimit të të rinjve, mund të kontribuojë në një rënie të mëtejshme të popullsisë për shkak të numrit të lindjeve të humbura si pasojë e migrimit jashtë vendit.
IMO thekson se Shqipëria është një nga vendet që ka pasur dhe rikthim të emigrantëve, por qëndrimi dhe zhvillimi i tyre varet nga politikat sociale e incentiva të tjera nga qeveritë.
“Në Shqipëri, emigrantët e kthyer kanë shfrytëzuar kapitalin social dhe njerëzor të fituar jashtë për të hapur biznese, për të sjellë kultura të reja pune dhe produkte, si dhe për të zgjeruar mundësitë ekonomike përmes rrjeteve të forta sociale. Megjithatë, shkalla në të cilën të kthyerit mund të kontribuojnë varet nga kushtet e kthimit, mbështetja e disponueshme për riintegrim dhe konteksti më i gjerë ekonomik dhe institucional”, thuhet në raport.
Organizata konkludon se e gjithë bota po përjeton një valë emigracioni, ndikuar nga krizat gjepolitike në botë, humanitare e klimatike. Nga ana tjetër, migrimi vazhdon të ketë rol pozitiv për ekonominë globale, emigrantët kontribuojnë me punë, inovacion dhe remitanca (para që dërgojnë në vendet e origjinës). Megjithatë, ai shoqërohet edhe me probleme serioze si migrimi i parregullt, trafikimi i qenieve njerëzore, rritja e ksenofobisë dhe përdorimi i migrimit për qëllime politike.
Nga viti 2000 deri në vitin 2026, numri i emigrantëve ndërkombëtarë është rritur nga 150 milion në 304 milion, ndërsa përqindja e tyre në popullsinë botërore është rritur vetëm pak, nga 2.8% në 3.7%. Në të njëjtën kohë, remitancat janë rritur ndjeshëm nga 128 miliardë dollarë në 905 miliardë dollarë, duke treguar rolin gjithnjë e më të madh të migrimit në ekonomi. Po ashtu, është rritur shumë numri i refugjatëve (nga 14 milion në 36.9 milion) dhe i personave të zhvendosur brenda vendeve të tyre (nga 21 milion në 83.4 milion), çka tregon për shtimin e krizave dhe zhvendosjeve në nivel global.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje