Bota

Mbi 20 milion raste, pandemia arrin kulmin në Indi. Autoritetet fshehin bilancin

Numri i personave të infektuar me koronavirus në Indi ka kaluar mbi 20 milion, pavarësisht se qeveria këmbëngul se shkalla e infektimit është duke u ulur.

Së fundmi janë regjistruar më shumë se 400,000 të infektuar në ditë, por ekspertët kanë thënë se numri i vdekjeve dhe i të infektuarve është duke u manipuluar dhe fshehur nga autoritetet. Vendi aziatik po përballet me një mutacion të ri shumë më ngjitës, të njohur si “mutacioni indian”, i cili ka çuar në rritjen dramatike të rasteve  brenda dy javësh.

Në kryeqytetin Delhi, njerëzit nuk kanë qasje në kujdes shëndetësor, pasi nuk është duke marrë mjaftueshëm oksigjen nga qeveria federale, e cila ka vendosur kuota për ndarjen e oksigjenit për secilin rajon.

India prodhon mijëra tonë të oksigjenit në ditë, mirëpo disa ekspertë besojnë se mungesa e tij vjen si pasojë e mungesës së investimit në rrjetin e shpërndarjes. Spitalet në Delhi kanë nisur të dërgojnë mesazhe ndihme edhe nëpër rrjetet sociale, me qëllim të sigurimit të pajisjeve që u duhen.

Për banorët, pritjet me orë të tëra për të marrë oksigjen tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë.

Zyrtarëve po ashtu u është bërë thirrje që të krijojnë më shumë hapësira për krematoriume, pasi në morg ka nuk ka vende.

Fushata e ngadalshme e vaksinimit ka thelluar po ashtu krizën. Pavarësisht pse India është prodhuesja më e madhe e vaksinave, ajo ka ende mungesë të dozave për banorët e vet.

Shefi ekzekutiv i Institutit Serum të Indisë - prodhuesit më të madh të vaksinave në botë  ka paralajmëruar se mungesa e vaksinave do të zgjasë me muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë