Futboll

Mbi 1 mld euro. Mourinho, trajneri që ka shpenzuar më shumë në histori

Jose Mourinho ka shpenzuar 1.3 miliardë £ për transferimin e lojtarëve,  gjatë karrierës së tij si trajner - rreth 300 milion £ më shumë sesa vendi i dytë. Portugezi nuk është kursyer - qoftë te Chelsea , Real Madrid apo Manchester United - dhe studimi i fundit nxjerr në pah se ka shpenzuar më shumë se çdo trajner tjetër. Carlo Ancelotti është i dyti në listën e shpenzimeve, ku gjatë drejtimit të Milan , Chelsea, Paris Saint-Germain, Real dhe Bayern Munich ka shpenzuar 300 milion £ më pak se Mourinho.

Oh, My Goal ka llogaritur shpenzimet e trajnerëve kryesorë të futbollit botëror dhe ka zbuluar shifra të çmendura. Por, asnjë nuk krahasohet me Mourinho, trajneri aktual i Tottenham, blerja më e madhe e të cilit ishte rikthimi prej 89.3 milion £ i Paul Pogba te Manchester United në verën e vitit 2016. Mourinho ka kërkuar gjithmonë investime nga pronarët e klubit, me blerje të tilla si Romelu Lukaku për 75 milion £ dhe Fred për 53 milion gjatë periudhës në Old Trafford. Në dy periudhat si trajner i Chelsea, klubi nënshkroi me sulmuesit Andriy Shevchenko për 40 milion £, Didier Drogba për 35 milion dhe Diego Costa për 34 milion. Dhe ndërsa Mourinho ishte në krye të Real Madrid, ata nënshkruan me Luka Modric për 31.5 milion dhe Angel Di Maria për 30 milion. Kjo nxjerrë në pah se sa i papërshtatshëm është Mourinho te Tottenham, një klub që harxhon para vetëm me kërkesën e presidentit Daniel Levy.

Ancelotti, tashmë në krye të Everton, renditet në vendin e dytë, duke shpenzuar rreth 1 miliard. Blerja e tij më e shtrenjtë është uellsiani Gareth Bale për 85.3 milion. Ishte gjithashtu nën drejtimin e Ancelotti, që Los Blancos nënshkruan me yllin kolumbian James Rodriguez për 67 milion në verën e vitit 2014. Nën drejtimin e Chelsea, klubi nënshkroi me sulmuesin spanjoll Fernando Torres nga rivalët e Liverpool për 50 milion.

Ancelotti është afërsisht i barabartë me Pep Guardiola, trajnerin e Manchester City dhe ish-trajnerin e Barcelonës dhe Bayern Munich, i cili gjithashtu ka shpenzuar 1 miliard £. Blerja e tij më e madhe në të vërtetë doli të ishte një dështim - Zlatan Ibrahimovic u transferua nga Inter te Barcelona për 57 milion £ në 2009, me Samuel Eto'o që përfundoi në Milano, por zgjati vetëm një sezon.

Guardiola nuk është kursyer gjatë periudhës te City, duke paguar 60 milion për Riyad Mahrez, 58 milion për Aymeric Laporte, 52 milion për Benjamin Mendy dhe 50 milion për John Stones. Kjo i ka mundësuar atij të ketë një karrierë shumë të suksesshme, me Cityn që fitoi tituj Premier League dhe një seri kupash nën drejtimin e tij. Manuel Pellegrini është i katërti në listë duke shpenzuar 921 milion, ku një pjesë të madhe zë rekordi i atëhershëm botëror prej 80 milion £ që solli Cristiano Ronaldo nga Man United te Real Madrid në 2009.

Massimiliano Allegri ka shpenzuar 844 milion, duke transferuar Ronaldon 100 milion £ nga Real te Juventus,  në verën e vitit  2018. Arsene Wenger ka shpenzuar 767 milion £ gjatë karrierës së tij me Arsenalin, duke e vendosur atë të gjashtin në listë, përpara italianëve Roberto Mancini me 683 milion £ dhe Claudio Ranieri me 682 milion £.Rafa Benitez është i nënti me 577 milion £, ndërsa Unai Emery mbyll renditjen me 591 milion £, megjithëse 200 milion £ janë falë  transferimit rekord të Neymar në 2017.

Vlen gjithashtu të përmendet se katër prej trajnerëve (Mourinho, Ancelotti, Ranieri dhe Benitez) kanë shpenzuar paratë e Roman Abramovich te Chelsea. Dhe tre prej tyre (Guardiola, Pellegrini, Mancini) kanë shfrytëzuar pasurinë e sheikëve të Manchester City.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë