Arsim

Maturantët në protestë: Të përsëritet provimi i Matematikës. Ministria: Testi në nivel mesatar

Ashtu siç paralajmëruan, maturantët janë mbledhur për të protestuar përpara  Ministrisë së Arsimit duke bllokuar "Rrugën e Durrësit". Të ulur në shesh ata kërkojnë drejtësi për testin e matematikës që në këndvështirimin e tyre kishte aq nivel të lartë vështirësie sa edhe nxënësit e mirë nuk ia dolën.
Nën thirrjen "Duam Drejtësi" nxënësit kërkojnë që të ripërsëritet provimi ose nëse kjo nuk është e mundur të ulet pikësimi për testin e Matematikës. Ata thonë se do të qëndrojnë aty dhe nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, nuk do të kryejnë provimin e ardhshëm për lëndët me zgjedhje. Ndërkaq protesta e maturantëve është shtrirë edhe në qytete të tjera, si Durrës, Fier, Vlorë dhr Shkodër.

Pak para protestës Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) në një deklaratë për mediat ka shpjeguar se në tezat e matematikës nuk ka pasur vështirësi dhe nxënësit e mirë nuk kanë pasu probleme në zgjidhjen e testit
Drejtoresha e QShA, Rezana Vrapi tha se nxënësit që janë kapur me telefon janë skualifikuar.
Sipas Vrapit teza e matematikës nuk ka pasur ushtrime që nuk janë përfshirë në program.
"Teza është e nivelit mesatar, nuk ka asgjë jashtë programit. S'ka asnjë gabim shkencor dhe sa i përket asaj që thonë është e përkthyer. Tekstet janë të përkthyera se polinomet janë ato që janë. Nuk është test i nivelit të Cambbrige siç thonë," shtoi Vrapi.

Vrapi ka theksuar gjithashtu se në fund të korigjimit bëhet edhe edhe verifikimi i testit, për çdo pyetje dhe sa pikë duhet të marrë saktësisht.
"Nuk do të penalizojmë asnjë maturant", shtoi Vrapi.
Njëjtë si vitet e tjera, teza e matematikës është shpërndarë më rrjetet sociale shumë pak minuta pasi maturantët do të filloni provimin e matematikës, ndërkohë që Ministria e Arsimit Rinisë e Sporteve deklaroi që do të ketë kallzim penal për çdokënd që ka nxjerrë tezat.

Kushi: Jemi duke vlerësuar nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje

"Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës.
Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.
Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës”, deklaroi Ministrja e Arsimit Kushi, pas protestës së maturantëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë