Arsim

Matura shtetërore, zhvillohet provimi i parë i gjuhës së huaj

Gjatë ditës së sotme maturantët i’u nënshtruan provimit të gjuhës së huaj. Mes ankthit dhe dëshirës së madhe për të kaluar me sukses provimin i cili zgjatu dy orë e gjysmë, maturantët u paraqitën në gjimnazet përkatëse që në orën 8 të mëngjesit. Që prej vitit 2006 kur u implementua “sistemi i meritokracisë”, në maturën shtetërore gjatë gjithë kohës ka pasur ndryshime. As ky vit nuk kaloi ndryshe. Ekspertët e Ministrisë prej kohësh konfirmuan se do të kishte një sërë ndryshimesh për provimin e gjuhës së huaj. Një ndër ndryshimet e para ishte niveli i testimit të gjuhës nga B1 në B2. Përmbajtja e testit do të kishte më shumë pyetje me alternativa se sa me shtjellim, gjë e cila sipas ekspertëve do të lehtësonte procesin e provimit. Ashtu si më përpara edhe në ditën e sotme, maturantët e dinin paraprakisht rregulloren dhe në duar mbanin vetëm stilolapsat dhe kartën e identitetit.
Maturantja Fiona Luzi në shkollën “Sadik Stavileci” tha për Gazeta Si se provimi ishte më i lehtë nga sa e kishte menduar, duke cilësuar kështu edhe faktin që pret rezultate të mira
“Kishte rreth 20 pyetje me qarkim dhe 14 të tjera me shtjellim, gjë që e bënte disi më të lehtë provimin dhe kishte përafërsi me udhëzimet e mësuesve,” shtoi Luzi.

Gjithashtu, një grup maturantësh u shprehën se si çdo vit tjetër teza e provimit të anglishtes doli në momentin që nxënësit ishin në provim. Ndërkohë administratorët e provimeve nuk ishin mësuesit e shkollës.
Për këtë provim gjithashtu e angazhuar ka qenë edhe policia e shtetit, duke planifikuar në shërbim rreth 560 punonjës police dhe 45 automjete policie. Pas përfundimit të provimit punonjësit e Policisë shoqëruan materialet e provimit në destincaionin përkatës, njëjtë siç kanë kryer shpërndarjen nëpër shkolla. Një tjetër risi për provimin e parë të maturës shtetërore do të jetë edhe korrigjimi i provimeve me një formë digjitale, nga një sistem i veçantë i përgatitur në QSHA. Jo vetëm në provimin e parë, por edhe në provimet e tjera, maturantët përveç testit, duhet të plotësojnë dhe një fletë përgjigje për pyetjet me zgjedhje. Në udhëzimin e QSHA, u bë me dije se ky proces përmban udhëzime të përgjithshme për të ndihmuar maturantët.
“Udhëzoni maturantin/ kandidatin si të veprojë saktë për të mbushur rrathët e tabelës, për secilën pyetje. Materiali t’u shpërndahet sa më parë shkollave, në mënyrë që nxënësit të familjarizohen me plotësimin e fletëpërgjigjes për pyetjet me zgjedhje (alternativa). Udhëzuesi bashkë me modelin e fletëpërgjigjes, të vendosen në këndin e maturës së çdo shkolle,” ka udhëzuar paraprakisht QSHA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë