Bota

Matteo Renzi tërheq dy ministra, qeveria Conte në krizë

Qeveria Conte rrezikon të bjerë, pas tërheqjes së dy ministrave, duke u futur kështu në krizë. Mësohet se ish-kryeministri Matteo Renzi ka tërhequr dy ministra, pjesë e partisë “Italia Viva”, nga qeveria Conte. Matteo Renzi ka njoftuar tërheqjen e ministrave Teresa Bellanova dhe Elena Bonetti nga qeveria duke shpjeguar: “Për të dhënë dorëheqjen duhet guxim dhe një ndjenjë përgjegjësie”, ndërsa ka shtuar se; “Kriza nuk është hapur nga ne, ajo ishte e hapur prej muajsh”. Masa vjen pas takimit midis Contes dhe Presidentit Mattarella, i cili theksoi “nevojën për të dalë shpejt nga kjo gjendje e pasigurisë” duke pasur parasysh pandeminë.

Teksa tërhoqi ministrat ai tha se kërkon respekt për rregullat demokratike. “Përballë kësaj krize, ne kërkuam të zgjidhim problemet, jo ti fshehim ato", tha ish-Kryeministri.

“Kriza politike nuk është hapur nga Italia Viva, ajo është hapur  prej muajsh. Në pohimin e besimit të palëkundur në Presidentin e Republikës dhe në rolin institucional që ai mbulon ne mendojmë se duhet të përballen tre pika kryesore.

Ne i zgjidhim problemet. Të mendosh për zgjidhjen me një postim ose në instagram është populizëm. Politika kërkon respekt pë4 demokracinë. Meqenëse ekziston një pandemi, rregullat demokratike duhet të respektohen. Kjo është pika themelore: ne nuk luajmë me institucionet, demokracia nuk është një shfaqje. "Rezultati i krizës? Varet nga kryeministri, ne jemi gati të diskutojmë gjithçka. Ne nuk kemi asnjë paragjykim as për formula dhe as për emra", vijoi Renzi.

Në një konferencë për mediat, Renzi deklaroi se nuk do të votohet tani, por në 2023-in, duke lënë të nënkuptuar se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Kjo është herë e dytë që bie qeveria e kryeministrit Giusepe Conte. Tani është hapur një krizë e madhe qeveritare në Itali, në mes të një situate tjetër të vështirë si ajo e pandemisë. Përplasja mes tyre kishte filluar prej disa javësh për menaxhimin e fondeve të BE lidhur me situatën e COVID.  Do të shihet në ditët në vazhdim nëse Conte do të arrijë të ketë përsëri mazhorancën apo Italia do shkojë në zgjedhje të parakohshme.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë